Ka nisur konferenca e kryeministrit Rama, ku po artikulohen vendimet që ai ka marrë lidhur me studentët.
Rama u shpreh se studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, nga familje me një prind, të verbërit dhe ata me mesatare mbi nëntë në të gjitha programet e studimit do të përfitojnë uljen në 0 të tarifave, si dhe 10 mijë lekë të reja bursë nga shteti.
Në mbledhje kemi marrë disa vendime të rëndësishme që shkojnë përtej kërkesave të studentëve, për të maksimizuar efektin e protestës dhe për të futur Universitetin në një fazë të dytë të një reforme tranformuese që duhet të thellohet.
Së pari kemi miratuar katër vendime të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kategorive të individëve që përfitojnë uljen e tarifave të studimit, ndryshime në kategoritë e personave që përfitojnë nga fondi i ekselencës.
Shpjegohen konkretisht në këto terma: Studentët që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike, të verbërit, personat tetraplegjikë që marrin bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja. Studentët që kanë mesataren mbi 9 do të përfitojnë 0 tarifa studimi, dhe do të përfitojnë një bursë prej 10 mijë lekësh të reja.
Kjo e zgjeron ndjeshëm gamën e mbështetjes së qeverisë. Të gjithë studentëve do tiu paguhet 50% e tarifës nga buxheti i shtetit, që do të thotë se të gjithë studentët aktualë, edhe ata me katra dhe me pesta nuk do të paguajnë për pjesën e mbetur të vitit, por do të paguajë Buxheti i Shtetit. Në vitin e ardhshëm ata që do të jenë nën mesataren 6 do të humbasin çdo mbështetje.