Studentët e universiteteve publike në kryeqytet vazhdojnë protestën e tyre në ditën e 11. Sot ata janë mbledhur sërish përpara Kryeministrisë, duke kërkuar përmbushjen e 8 kërkesave dhe refuzojnë dialogun me Kryeministrin Edi Rama.
Studentët vijojnë të qëndrojnë në bulevardin përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa një ditë më parë bënë thirrje për protestë mbarëkombëtare duke kërkuar sensibilizimin edhe të qytetarëve të tjerë.
Kreu i qeverisë vazhdimisht përsërit thirrjen e tij në rrjetet sociale kundrejt studentëve, duke u thënë se është i gatshëm për plotësimin e 8 pikave, por fillimisht kërkon dialog me ta. Nga ana tjetër, studentët vazhdojnë të refuzojnë duke thënë se nuk ka arsye për të dialoguar, por të plotësohet pa kushte lista me kërkesat e tyre.