Kanina, kjo trevë me një bukuri përrallore, kjo fortesë e luftrave të të gjitha kohëve, qëndresë e principatave shqiptare, ka pasur edhe një princeshë, Rexhinën (Rugjina). Ajo vjen deri në ditët e sotme përmes legjendave, këngëve që i ka thurrur populli, dhe emri i saj është skalitur në një krua, çezmë, mal, rrugë… Nga literatura e shfletuar, tregojne se Kanina iu dha fisit te Bashajve si prikë, bashke me qytetin e Vlorës dhe të Beratit.
Kjo familje e madhe ia dhuroi Rexhinës, princeshës së Kaninës e të Vlorës. Jo vetëm historianët, por edhe kalinjotët e sotëm tregojnë një histori shumë interesante, që lidhet me qëndresën e kësaj princeshe në vitin 1417, kur u pushtua Vlora dhe Kanina. Kronistët e kohës, turq dhe vendas, flasin për luftime të ashpra, që ajo nuk mundi t’i përballojë deri në fund. Por, nuk u dorëzua. Rexhina, sëbashku me 400 besnikë të saj, bëri qëndresën e fundit në kalanë e Gjon Pocarit dhe vendosi që të largohet.
Ajo urdhëroi besnikët që t’i mbushnin kuvertën e anijes me dhe nga Himara. Me atë dhe të tokës së saj, ajo la amanetin që ta mbulonin kur të vdiste. Dhe vërtet ashtu u bë.
Në bregun e djathtë të Lumit të Vlorës, atje ku vendi mban emrin e “Përtej Lume”, një copë e vogël fushe, kjo që i takon fshatit Gumenicë, gjendet “Rrapi i Rugjinës” (i thonë dhe i zonjës), Zonjës së Kaninës. Perimetri i trungut të këtij rrapi është 12 metra. Nën hijen e këtij rrapi legjendar, Rugjina Balsha thirri në kuvend krerët e Labërisë, për tu dalë në ballë osmanëve agresorë. Në afërsi të “Rrapit të Rugjinës”, kemi “Mullirin e Zonjës”, sot gërmadhë, ndërsa në Lungar- Shashicë kemi “Kroin e Zonjës”, i cili i rindërtuar në Lungar shërben dhe sot.
Po kështu në fshatin Radhimë ndeshemi ne dy mikrotoponime dhe një hydronim që mbajn ëdhe sot emrin e Rugjinës: ”Gryka e Rugjinës”, ”Shpella e Rugjinës” dhe “Përroi i Rugjinës”.
Në qafën e Llogarasë gjendet “Shkëmbi i Rugjinës”. Sipas gojëdhënës në këtë shkëmb të vetmuar qëndroi Rugjina Balsha për të shikuar dhe një herë atdheun e saj e të qajë me mallëngjim për të. Dhimbja e Rugjinës ka mbetur proverbiale. Në fshatin Dukat gjer më sot mbajnë shprehjen “Rënkoi si Rugjina”, për një që rënkon nga dhimbja e thellë.
Ka një legjendë për të ku tregohet aq me mjeshtëri dhimbja për vendin e humbur. Atje tek rrinte Rugjina, e mbante njërin sy pas, nga Oriku e Vlora, Kanina e pushtuar, kurse tjetrin e mbante të humbur tutje nga brigjet e detit. Dhe dëneste. Lotët i rridhnin çurg, i binin nga maja e mjekrës në grykën e shkëmbit..
Ata lot, të hidhur farmak, e gëryen dhe e tretën dalëngadalë sipërfaqen e shkëmbit. Atje mbi gurin e tretur, mori formë dhe u ngurtësua syri i saj. Syri i Rugjinës qëndron atje, mbi shkëmb, duke kujtuar një mall e një merak për tokën e dashur që do vuante për shekuj të tërë nën thundrën e pushtimit të egër…. Pas kësaj Rugjina rrugën e përtej detit dhe varrin i saj u hap atje, në Korfuzin e largët dhe të afërt, nën hijen e ullinjëve jetëgjatë.
Rexhina ishte e bija e Balshës II dhe e Komita Muzakës. Le të zgjatemi pak në historinë e Vlorës dhe të prindërve të saj. I ati Balsha II (vdekur në 18 Shtator 1385) ishte sundimtar i Zetës (Mali i Zi i sotshëm) dhe i Shkodrës. Ishte pinjoll i familjes së Balshajve që sundoi mbi Shkodër e Zetë nga 1356 deri më 1435. Balsha II ishte djali i vogël i Balshës I. Mori pushtetin pas vdekjes së vëllait Durad I, në 13 Janar 1378. Sundimi i tij fillimisht shtrihej në Krahinën e Shkodrës dhe në pjesën lindore të bregdetit të Zetës. Kundërshtar i tij ishte familja serbe Durasheviç-Cernojeviç, të përkrahur nga venecianët.
Në 1372 u martua me Komita Muzakën, vajza e Gjon Komneni Asen, si dhuratë martese iu dhanë qytetet e Beratit dhe Kaninës. Në 1382 filloi luftën për pushtimin e Durrësit, e mori pas katër përpjekjeve. Në 1385 Karl Topia (sundimtari i mëparshëm i Durrësit), thirri në ndihmë trupat osmane, komandant ishte Hajredin Pasha i cili shpartalloi forcat e Balshës II në Savër, buzë Vjosës, vetë Balsha II mbeti i vrarë dhe koka e tij ju çua si trofe Hajredin Pashës. E veja e Balshës II, Komita e më vonë e bija e tyre Rugjina, morën kontrollin mbi Arbërinë e jugut, që përfshinte Vlorën e Kaninën, Sazanin, Himarën, kullën e Pargës, për ta mbrojtur nga pushtuesit osmanë.
E mbetur vetëm me të bijën, Komita nuk ishte në gjendje të mbronte zotërimet e saj nga turqit, kështu që në 1386 ia kërkoi mbrojtje Venedikut duke i premtuar qytetin e Vlorës në këmbim. Këto bisedime u mbyllën pa ndonjë rezultat, e njëjta gjë u përsërit edhe në 1393, sërish pa ndonjë rezultat. Ndërkohë qe zhvilluar beteja e Fushë-Kosovës ( 1389) në të cilën aleanca ballkanike u shpartallua dhe Turqia u bë faktori më i rëndësishëm në Ballkan. Në 1395 Komita i kërkoi mbrojtje Venedikut për herë të tretë, duke i afruar krejt trojet nën sundimin e saj për tu bërë vasal i tij. I ngarkuari i saj ishte peshkopi i Arbërisë, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet Komita vdiq.
Pushtetin e mori dhëndrri, burri i Rugjinës, Merksha Jarkoviç. Ishte martuar me Rugjinën në 1391, kështu pas vdekjes së vjehrrës vazhdoi bisedimet me Venedikun, të cilat sërish nuk sollën asnjë rezultat. Burri i Rugjinës vdiq në vitin 1415, duke e lënë vetëm përballë oqeanit Turk. Rezistoi edhe dy vjet të tjerë deri më 1417, turqit e rrethuan, pasi çau rrethimin u largua për në Korfuz. Që nga ai moment Vlora do mbetej nën pushtetin e Turqisë deri në 1912, gati 500 vjet pa ndërprerje.
Kënga në vazhdim i kushtohet kësaj ngjarjeje, është një këngë që është krijuar më vonë mbështetur në ndonjë këngë më të vjetër, është kujtimi që i bën populli asaj ngjarjeje. Nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku i këndohet dikujt që ka jetuar 600 vjet më parë, edhe sot e kësaj dite.
Pllakosi turku në Vlorë
Ç’bën që rri Rugjinë e gjorë,
mblidh djemtë e bënia forrë,
se do të hedhin në dorë
Hamzai me tre taborë.
Del e ik, o moj Rugjinë,
se do të bënesh robinë.
Vendi të vithisetë’
bota të përmbysetë’
Rugjina nuk zihetë’,
tek turku nuk ipetë’,
nga murret do hidhetë,
poshtë në greminë,
gjaku të mbuloje,
nderin ta shpëtoje,
Arbrin ta nderoje!
Rugjinë, Zonja Rugjinë,
erdhën turqit në Kaninë,
të përpjetën e ngjinë,
dhe tani bëjnë rrethimnë.
Turqit me topa shumë,
Rugjina hebe me gurë,
turqit topa dhe trompeta,
Rugjina gurë e shigjeta,
Rugjina zemër shkëmbi
zgjodhi djemtë e këtij vendi,
me shigjeta e jataganë,
çau turqit dolli ndanë,
kaloi nëpër Lungarë,
përtej detit kaloi,
në Korfuz vate qëndroi.