Kalaja e Gjon Bocarit është një monument i trashëgimisë kulturore në Tragjas, Rrethi i Vlorës, në qarkun e Vlorës, Shqipëri. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “NR. 6, DT, 15. 01. 1963“.
Kalaja e Gjon Boçarit është ndërtuar në një kodër dominuese mbi fushën e Dukatit, Tragjasit dhe fshatit Radhimë, duke kontrolluar bregdetin dhe rrugët që të çojnë drejt qafës së Llogarasë dhe asaj të Shën Gjergjit. Kjo kështjellë formohet nga një katërkëndësh kënddrejtë (30xl8 m), me dy kulla poligonale në qoshen veriore dhe lindore, ndërsa hyrja e vetme, ndodhet në mesin e njërës nga brinjët e ngushta të katërkëndëshit. Kurtinat kanë një trashësi prej 1,80 m dhe po aq është edhe gjerësia e mureve të kullave. Gjithashtu e barabartë është edhe lartësia e tyre. Lartësia e mureve, deri në shtegun e rojes, arrin 4 m, ndërsa parapeti, i ruajtur vetëm si gjurmë, kishte një gjerësi prej 0,54 m. në shtegun e rojes të çonin nga dy palë shkallë të ndërtuara brenda trashësisë së mureve veriperëndimore dhe juglindore.[3]
Kullat janë krejtësisht të hapura nga ana e brendshme e fortifikimit, duke qenë kështu më tepër një vazhdim i mureve rrethuese. Muret e tyre, në pjesën e poshtme, përshkohen nga frëngji për armë zjarri, të mbuluara me rrasa horizontale guri. Ndërsa trashësia e plotë e kurtinave përshkohet vetëm prej dy frëngjish të vendosura në të dyja anët e portës. Arkeologu austriak Carl Patsch në vitin 1904 përshkruan keshtjellën dhe rrenojat e zgjeruara të ndertesave ne veri te saj. Ai mendon se garnizoni që qëndronte në këtë kala, ka ndenjur ne çadra ose ndërtime druri të lehta.
Nga elementët arkitektonikë kalaja përkon me rrethimet e manastireve shqiptare të ndërtuara në gjysmën e dytë të shekullit të XVII, dhe duhet studiuar akoma nëse ka pasur ndonjë ndërtim në kohën e Ali Pasha Tepelenës, pasi nuk rezulton që të ketë elementë tipikë të ndërtimeve nga ky i fundit.
Loading...