Shkrimtari dhe gazetari britanik, James Montague, e ka vlerësuar lart Kosovën duke e quajtur ndër ekipet më të mira të reja në Evropë momentalisht, pasi u mësua se verdhekaltrit do të jenë në të njëjtin grup me Anglinë në kualifikime për Kampionatin Evropian, EURO 2020.
Pas hedhjes së shortit sot në Dublin, u mësua se Kosova do të jetë në Grupin A, dhe për kundërshtarë do t’i ketë bartësin e grupit, Anglinë, si dhe Çekinë, Bullgarinë dhe fqinjin Malin e Zi, raporton Gazeta Express.
E për autorin dhe gazetarin britanik, “Tre luanët” nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj “Dardanëve”.
“Nga të gjitha ekipet në grupin e Anglisë, më së vështiri do të jetë ta mposhtim Kosovën. Ndeshja në Prishtinë do të jetë e jashtëzakonshme”, shkroi ai në Twitter.
Ai e vlerësoi Kosovën si ndër skuadrat e reja më të mira në Evropë, me lojtarë të shpejtë dhe të talentuar.
“Kosova e ka njërën prej skuadrave më të mira të reja në Evropë momentalisht. E pamposhtur më 2018. Në krye të Grupit të vet në Ligën e Kombeve. Skuadër me lojtarë të rinj, të shpejtë që shënojnë shumë gola. Dhe kur ta mendosh se janë pranuar në UEFA e FIFA vetëm në vitin 2016”, shtoi ai. /Express