Policia e Shtetit do të ndjekë modelin e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian sa i takon pajisjes me uniforma, duke evituar kështu tenderat që dështojnë në vijimësi.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për risitë në mbështetjen logjistike të Policisë së Shtetit.
“Për tenderat e uniformave që dështojnë, rihapen, kthehen dhe nuk garantojnë vijimësinë nuk kemi pse të shpikim, por duhet të imitojmë ata që e bëjnë më mirë këtë punë. Në vendet e zhvilluara të BE-së nuk ka tendera uniformash, por ka një shërbim të personalizuar për çdo efektiv dhe ku 1,2 apo 3 kompani të licensuara përgjigjen çdo ditë për çdo efektiv policie që do të marri diçka të re”, tha Rama.
Ai sqaroi se “sipas kësaj praktike nuk paguhen paratë për tendera, por çdo efektiv ka kartën e fondit personal për uniformën dhe të gjitha pajimet, dhe ka adresat e të gjitha pikave të shërbimit ku shkon dhe merr uniformën që duhet”.
Kjo sipas, Ramës, siguron që Policia të ketë gjithmonë uniforma sipas standardeve. /atsh