Atalanta ka fituar 4-1 kundër Interit. Berat Djimsiti është rikthyer si titullar tek Atalanta pas një kohe të gjatë të kaluar në stol. Ndeshje e madhe për vendasit që skandalizuan zikaltërit me këtë fitore të madhe.
Goli që ka zhbllokuar takimin ka ardhur në minutën e 9-të dhe është realizuar nga Hateboer, i cili ka dërguar topin në rrjetë duke përfituar nga një pozicionim i gabuar i mbrojtjes mike.
Miqtë kanë reaguar menjëherë në pjesën e dytë duke shënuar golin e barazimit me Mauro Icardi-n, i cili ka arritur të mundë Berishën nga pika e bardhë e penalltisë, të fituar pas një prekje të topit me dorë të mbrojtësit Mancini. Ky i fundit e ka shlyer gabimin e tij në të 62-ën, duke mposhtur Handanovic me një goditje të fortë me kokë.
Atalanta ka siguruar fitoren dy minuta para fundit me golin e realizuar nga mbrojtësi shqiptar Berat Djimsiti, i cili, ashtu si Mancini, ka mposhtur numrin një të zikaltërve me një goditje me kokë. Miqtë kanë mbetur me 10 lojtarë në minutën e 92-të pas kartonit të kuq të marrë nga Brozovic, ndërsa në të 94-ën ka ardhur edhe goli i katërt i vendasve, i realizuar nga Gomez.