Zëvendës ministri i Brendshëm Sandër Lleshi ka bërë sot daljen e parë publike për mediat me një lajm bombë, ndoshta i pari që ka ardhur në këtë drejtim nga shteti shqiptar ndaj grekëve.
Lleshi njoftoi se janë shpallur të padëshiruar në vendin tonë 52 persona të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi.
Ai tha që asnjë nuk duhet ta marrë butësinë e shqiptarëve për dobësi.
DEKLARATA E SANDËR LLESHIT
Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:
Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi.
Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj.
Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi.