Loading...

Vogëlushja ndahet nga jeta pas serumeve, prokuroria kërkon dënim për mjeken e Beratit

Një ditë tragjike për një vajzë të vogël 3 vjeçe dhe familjen e saj që ka humbur dritën e syve.

Prokuroria e Beratit kërkon 4 vite burg për mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi. Mjekja akuzohet për “mjekim të pakujdesshëm” që solli vdekjen e 3-vjeçares I. Dërrasa.

Vogëlushja ishte e shtruar në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gjeti edhe vdekjen në 23 janar 2017. Menjëherë pas vdekjes së vogëlushes, prindërit e saj akuzuan mjeken, duke pretenduar se vajza kishte vdekur nga një reaksion nga mjekimet që i hidheshin në serum.

Sipas Petovës, ata shkuan edhe më tej me akuzat, duke deklaruar se stafi i këtij reparti ishte treguar i pamëshirshëm dhe çnjerëzor me ta pas vdekjes së vajzës, duke i larguar në shtëpi me vajzën e vdekur ndër duar. Çështja penale në ngarkim të mjekes Shpresa Karkanjozi ka 8 muaj që po hetohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat, ku pas pyetjes së të gjithë dëshmitarëve dhe ekzaminimit të raporteve të ekspertëve të mjekësisë ligjore, është kërkuar sot nga organi i akuzës dënimi me 4 vite burgim për mjeken dhe tashmë gjithçka ngelet në dorë të Gjykatës.

Kjo e fundit do të japë vendimin për mjeken në datën 22 nëntor. Avokatët e familjes së viktimës, Ndue Pjetra dhe Novruz Hadëri e kanë konsideruar të drejtë pretencën e Prokurorisë dhe i kanë bërë apel Gjykatës të marrë vendimin më të drejtë në lidhje me këtë çështje. Avokati Ndue Pjetra është shprehur se, kërkesa e prokurorit të çështjes Dritan Gripshi ka qenë shumë e drejtë, pasi kjo vepër penale dënohet me deri në 5 vite burg. Pjetra e konsideron vendimin që do të merret si një mesazh për Beratin ku kanë ndodhur dhjetëra vdekje për faj të mjekëve, që nuk mendojnë asnjëherë se mund të dënohen tjetër përveçse me “gjobë”.

Avokati Novruz Hadëri e ka konsideruar procesin e kryer deri tani si një proces të konsoliduar dhe të rregullt dhe i ka bërë thirrje gjyqtarit të çështjes të tregohet i ftohtë në marrjen e vendimit.

Nëna e viktimës, Anila Dërrasa, e cila dergjet në dyertë e prokurorisë dhe gjykatës që ditën që vajza e saj ndërroi jetë, e cilëson të ulët kërkesën e prokurorisë për dënimin me 4 vite burg për mjeken, duke deklaruar se vogëlushja e saj nuk kthehet më në jetë.

3-vjeçarja Iza Dërrasa ishte e shtruar prej 5 ditësh në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, për shkak të virozëve, por pas reaksionit të shkaktuar pas një serumi të marrë kaloi në gjendje kolapsi dhe për pasojë gjeti vdekjen në 23 Janar 2017./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com