Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar ditën e sotme avokaten e shtetit Alma Hicka, pa dhënë ende një motivacion të saktë për mediat. Në vend të saj numri 1 i qeverisë ka emëruar Artur Metanin. Hicka u emërua në krye të avokaturës së shtetit me marrjen e madnatit të parë nga qeveria Rama në vitin 2013.
Artur Metani, me profesion jurist është vëllai i ish-ministres Eglantina Gjermeni. Më herët Metani ka qenë këshilltar i kryeministrit Rama për sigurinë, si dhe kandidat për byronë e hetimit.
Në vitet 2000-2004 ka qenë drejtor i programeve të drejtësisë të Soros. Ndërsa në vitet 2004-2012 ai ishte këshilltar i Presidentit Moisiu dhe më pas i Bamir Topit për drejtësinë.
Pozicioni që Metani ka mbajtur së fundi ka qenë ai kreut të deprtamentit të antikorrupsionit në kryeministri.
Alma Hicka ka qenë një nga avokatet e shtetit më të sulmuara nga opozita për shkak të mbylljes së çështjes CEZ.
Sipas opozitës Hicka ka qenë në konflikt interesi për shkak se mbronte inetersat e shtetit shqiptar dhe nga ana tjetër intersat e kompanisë CEZ mbroheshin nga bashkëshorti i saj, po me profesion avokat Envi Hicka.
Po ashtu gjatë tre viteve të para të Alma Hickës në krye të avokaturës shqiptare, qeveria ka harxhuar më shumë se 6 milionë euro për të kontraktuar studio të huaja ligjore për përfaqësimin e vendit në gjykata ndërkombëtare. Në shumë raste, vendimet e Hickës për përzgjedhjen e studiove ligjore janë kundërshtuar nga ministrat e drejtësisë së kohës.