Vitin e ardhshëm do të organizohen zgjedhjet për pushtetin lokal. PD dhe LSI pritet që te jenë në një koalicion kundër PS ashtu sicc ndodhi në vitin 2011, kur Edi Rama humbi Bashkinë e Tiranës.
Gjatë mbledhjes së djeshme Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u kërkoi deputetëve të grupit të tij parlamentar të bëhen gati për zgjedhje, pasi ato mund të vijnë shumë shpejt. Basha mblodhi Grupin Parlamentar për të diskutuar në lidhje me aksionin politik dhe qëndrimin që opozita do të mbajë në raport me shumicën qeverisëse.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit të PD-së sqarojnë se Basha ka kërkuar nga deputetët e tij të bëjnë propozime për zgjedhjet vendore dhe të jenë gati për zhvillime të forta që mund të çojnë deri në zgjedhje të parakohshme.
“Ne duhet të përgatitemi intensivisht për zgjedhjet vendore sepse me kandidatët e duhur, do t’i fitojmë ato. Është i nevojshëm një mobilizim i grupit dhe strukturave të PD-së për t’u përballur me qeverinë, pasi kjo përballje elektorale mund të jetë më e shpejtë sa e mendojmë. Ashtu siç edhe e kam thënë në daljet e mia, janë minimalisht 15 mandate parlamentare që PS-ja i ka siguruar nga bashkëpunimi me persona të inkriminuar”, tha Basha.
Kreu i opozitës informoi deputetët e grupit të tij parlamentar për skandale të reja që pritet të bëhen publike në radhët e maxhorancës dhe kujtoi se për aq kohë sa shumica nuk pranon të bëjë veting në politikë, marrëdhënia e PD-së me Parlamentin do të jetë e kushtëzuar.