Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi ka hequr dorë nga kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë. Këngëtari ka tërhequr apelimin duke preferuar të qëndrojnë në burg.
Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka kërkuar që të mos vijojnë procedurat për apelimin, dhe mësohet se është shprehur se nuk ka besim tek drejtësia.
“Dua të rri në burg, pasi nuk kam besim te drejtësia”, kështu mësohet të jetë shprehur përmes avokatit të tij, Stresi.
Stresi sot në Apel, Sali Lushaj zbulon porosinë që i ka dhënë: I thashë …
Në Gjykatën e Apelit pritet të shqyrtohet sot ankimi i masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Shkalla e Parë për këngëtarin Arkimed Lushaj, i arrestuar disa ditë më parë në Linzë.
Stresi mbahet në qelitë e paraburgimit, që prej datës 17 shtator kur u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe siç deklaroi Policia zyrtarisht, si pjesë e një grupi kriminal. Por duket se këngëtari 31-vjeçar nuk do të jetë vetë i pranishëm gjatë seancës, ku do të apelohet masa e sigurisë.
Të paktën, kështu u shpreh dje babai i tij, Sali Lushaj, i cili tha se e kishte takuar në burg dhe e kishte porositur që të mos paraqitej në gjyq. Këshillë kjo që, sipas Lushajt, ka të bëjë me gjyqtaren që do të drejtojë seancën e masës së sigurisë.
“Gjyqtare e Apelit është Edlira Petri. I thashë Stresit në takim që të mos vijë fare në gjyqin e së hënës. Një familje persekutorësh nuk mund të gjykojë një të persekutuar. Pinjolle e një familje persekutorësh, nën urdhrat e partisë në pushtet”, u shpreh dje Lushaj për gazetën “Panorama”. Ndërsa ai shtoi se djali i tij, që, me shumë gjasë, as këtë herë nuk do të fitojë drejtësi, do të përfaqësohet në seancën e masës së sigurisë nga avokati.
AKUZAT E PROKURORISE
Arkimed Lusha, i njohur ndryshe si Stresi, u la në burg nga Gjykata e Tiranës, më 19 tetor, dy ditë pasi ishte arrestuar. Madje, Gjykata caktoi ndaj tij dy masa arresti. Fillimisht, konfirmoi atë të dhënë në mungesë para se të arrestohej, më pas caktoi edhe një masë tjetër “arrest me burg” për një tjetër pistoletë, që është gjetur në momentin e arrestimit të Stresit në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës, në Tiranë.
Nga shqyrtimi rezultoi se përgjimet që janë përdorur si provë ndaj Stresit, kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për llogari të të ashtuquajturit grupi “Bajri”, ku Stresi, gjatë një komunikimi telefonik, është shprehur se “atë e hodha sapo pashë që erdhën të zinjtë”. Sipas Prokurorisë, këngëtari në këtë bisedë i referohet pistoletës që Policia gjeti në një lokal pranë gjimnazit “Partizani” në korrik të këtij viti, nga ku Stresi ishte larguar sapo kishte parë policët.
Ndërkohë, avokati i tij ka kundërshtuar të dyja rastet, duke pretenduar se Policia në asnjë rast nuk i ka gjetur pistoletë në trup klientit të tij. Madje, për arrestimin e fundit, avokati ka shfrytëzuar pamjet e publikuara nga Policia, jo vetëm duke i cilësuar të paligjshme, por edhe si provë në favor të klientit të tij.
“Mediat kanë transmetuar pamjet e arrestimit të klientit tim thuajse nudo. Atëherë, unë pyes se ku e ka pasur armën klienti im, pasi armëmbajtja pa leje nënkupton të ta gjejnë armën ty. Ai ishte lakuriq”, u shpreh avokati Marash Ibraj.