Ngritja e Byrosë Kombëtare e Hetimit, e njohur ndryshe si FBI shqiptare, pritet të hedhë dritë mbi ekzekutimet dhe zhdukjet më të bujshme të historisë të pluralizmit, të pazbardhura për shkak të implikimit të segmenteve të politikës shqiptare.
Në fokusin e Byrosë së Hetimit, e cila do të asistohet dhe mbikëqyret nga përfaqësues të FBI amerikane, do të jenë pikërisht dosjet pa autor. Përveç zbardhjes së vrasjeve të bujshme pa autor dhe dërgimit të përgjegjësve para gjykatave speciale, Byroja e Hetimit do të zbulojë edhe dorën e zezë që ka ndërhyrë që këto ngjarje të mos zbulohen, pikërisht për shkak të miksimit të krimit me politikën.
Kjo është një tjetër makth i krerëve të politikës shqiptare, të cilët po lëvizin çdo gur që Byroja Kombëtare të shtyhet sa më shumë, me iluzionin se mund të ndodhë ndonjë mrekulli dhe të shpëtojnë nga veprimi i saj.
Fillimisht, amerikanët dhe gjermanët vendosën në ligj që të mos ketë kufizime kohore sa i takon hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimeve.
Krerët e politikës shqiptare kërkuan që të vendosej kufizim kohor dhe të mos hetoheshin ish-kryeministrat dhe ish-ministrat. Ky propozim u rrëzua me forcë. Ndërkombëtarët vendosën në ligjin për SPAK që të hetohej për të gjitha veprat e rënda penale dhe korrupsionin që nga viti 1991. Këtu përfshihen të gjitha veprat penale që përbëjnë ngjarjet e pazbardhura si rrëmbime, zhdukje, vrasje, grushte shteti, vjedhje floriri, grabitje pronash dhe e gjithë veprimtaria e klasës mafioze politike. Një gjë e tillë u vendos edhe në ligjin anti-mafia, për sekuestrimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve.
Me këto ndryshime, Byroja Kombëtare e Hetimit, përfaqësuesit e FBI dhe hetuesit gjermanë marrin në dorë dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës nga SHIK-u kriminal i Sali Berishës, furnizimin me naftë të Millosheviçit, strehimi i celulave terroriste, organizimi i grushteve të shtetit, hapja e depove të armëve etj.
Byroja e Hetimit do të marrë në dorë edhe dosjen e vrasjen e bujshme të Artan Santos, çka pritet të hedhë në erë segmente politike, mediatike dhe mafioze. Në fokus do të jenë vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, eliminimi nga mafia të punonjësit të SHISH për Durrësin, Isa Çopa, vrasja e Remzi Veselit, zhdukja e ish-këshilltarit të Dritan Priftit, Eduard Belegu. Në fokus të punës së Byrosë së Hetimit do të jetë gjithashtu edhe vrasja e dëshmitarit të kyç të Gërdecit Kosta Trebiskës, vrasje që u paraqit si aksident./Pamfleti