Me gjithë operacionet e bujshme të policisë dje në Tiranë e Shijak, dikush mundi t’i shpëtonte prangave.
Një operacion i gjerë i ndërmarrë pasditen e djeshme nga Policia e Shtetit në Shijak dhe Durrës ka çuar në pranga disa persona, emra të njohur, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.
Kështu dje u arrestua në Shijak Flamur Avdyli, emigrant prej vitesh në Gjermani, vëllai i Astrit Avdylit, i dënuar për vrasjen e Durim Kusit.
Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe Jasin Avdyli, Fatos Llaftiu, Shkelqim Avdyli dhe Shaqir Gjepali.
Por me gjithë masat e policisë prangave i ka shpëtuar një personazh mjaft i përfolur.
Në kuadër të këtij aksioni është kërkuar dhe arrestimi i Lul Berishës, por gjatë kontrollit në banesë ai nuk është gjetur. Nga verifikimet e bëra Lul Berisha rezulton se ndodhet jashtë Shqipërisë së bashku me familjen.
Sipas të dhënave, hetimi ndaj Lul Berishës i përket së njëjtës dosje me atë të të fortëve të Shijakut,.
Policia e Shtetit ndërhyri duke goditur familjen Avdyli në Shijak dhe arrestuar tre vëllezër dhe kushëririn e parë të tyre. Gjithashtu janë shoqëruar edhe 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.
Në emër të vëllezërve Avdyli janë të regjistruara dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës “Germany”. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania./korrieri