Një tjetër aksion i RENEA-s është duke u zhvilluar këtë pasdite të diele për kapjen e të forit të Durrësit, Lul Berishës. Policia ka shkuar në shtëpinë e Berishës, por nuk e ka gjetur këtë të fundit në banesë. Një urdhër arrest është lëshuar për të, por ende nuk dihet se kush është akuza ndaj Berishës. Nga informacionet e deritanishme dyshimet janë se operacioni mund edhe të jetë dekonspiruar pasi Lul Berisha i ka humbur gjurmët. Kujtojmë se Lul Berisha u la i lirë disa muaj më parë nga gjykata, 10 vite pas burgut. Gjykata e Durrësit e liroi në një mënyrë të dyshimtë kapon e bandës së Durrësit.
Vrasjet e Bandes se Durresit: 17 tetor 1998 Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.
29 tetor 1998 Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri
22 gusht 1999 Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.
9 korrik 2000 Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit
14 janar 2002 Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit 2003. Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre
26 shkurt 2005 Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.
13 tetor 2005 Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.
30 tetor 2005 Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”