Lajme të jashtëzakonshme nga kampi i unazimit në Orikum! Mbrëmjen e 12 Tetorit 2018, në rrjetat e ngritura ra një specie e re që ngjalli debat, diskutim dhe padyshim shumë gëzim.
Studiesit e huaj hungarezë nga MME – Magyar Madártani Egyesület dhe shqiptarë nga AOS zbuluan praninë e Fishkëllyesit të murrmë (Phylloscopus fuscatus), një shpend i vogël me peshë 8.2 gr., me gjatësi krahësh 5.4 cm, gjatësi bishti 4.3 cm dhe gjatësi mesatare bisht-kokë 11-12 cm.
Fishkëllyesi i murrmë është specie e re për vendin tonë dhe e pavrojtuar asnjëherë më parë. Ai është mjaft i rrallë në Europë dhe konsiderohet si endacak. Specia është e përhapur kryesisht në Azi dhe pika më e afërt me Shqipërinë janë Himalajet ose kufiri Indi-Pakistan-Nepal siç shihet edhe në hartën e shpërndarjes.
Fishkëllyesi i murrmë folezon në Azinë juglindorë dhe pikërisht në Kinë, Mongoli, Siberi etj. Është kryesisht insektngrënës dhe shtegtar tipik. Pas sezonit të folezimit zbret në Indi, Malajzi, Vietnam, Bangladesh, Kinën jugore etj.
Identifikimi në natyrë i Fishkëllyesit të murrmë është mjaft i vështirë për shkak të ngjashmërisë së lartë me fishkëllyes të tjerë dhe sidomos me Fishkëllyesin e vogël (Phylloscopus collybita). Por shpina tek Fishkëllyesi i murrmë është më e errët dhe në ngjyrë gështenjë. Po kështu këmbët e të murrmit janë në ngjyrë të hapur.
Ky zbulim i jashtëzakonshëm na bën krenarë për kontributin tonë në njohjen më të mirë të faunës së Shqipërisë.