Ndotja e ajrit ka sjellë rritje të sëmundshmërisë tek popullata.
Sipas mjekëve, grimcat e pluhurit për shkak të diametrit të tyre më pak se 10 dhe 2,5 mikronë, depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, madje deri në gjak.
Një pjesë e këtyre grimcave solide, një pjesë e madhe thithen nga pjesa e rrugëve të sipërme aspiratore, ato më të vogla kalojnë në rrugët bronkiale, dhe një pjesë e tyre kalon edhe në gjak. Ndotja e ajrit është një nga faktorët riskantë për shfaqjen e kancerit të mushkërisë. Ndotja e ajrit mund të jetë faktor risku për zhvillimin e disa sëmundjeve të caktuara të rrugëve të frymëmarrjes, por edhe si shkaktar kryesor dhe gjithashtu edhe faktor i veçantë i acarimit të këtyre sëmundjeve”, shprehet mjekja pneumologe Olvis Petre.
Vetëm dy vitet e fundit, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ka një rritje me 25 % me kancer të mushkërisë, ndërsa me astmën bronkiale 20% dhe 6.8 % me sëmundjen pulmonare obstruktive kronike.
“Sëmundjet kryesore që prekin rrugët e frymëmarrjes, janë astma bronkiale dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike. Por ndotja e ajrit bashkë me duhanin eshtë faktor i rëndësishëm për acarimin e këtyrë sëmundjeve. Kemi një rritje të kancerit të mushkërisë, por edhe sëmundjeve të tjera bronkiale, spok dhe astma. Të sëmurë me kancer në 2016 ishin 594 persona, ndërsa në 2017 janë 740 raste. Këto janë raste të reja, ndërsa ato me spok dhe astma mund të jenë raste të rishtruara”.
Për specialitët e mjedisit, burimi kryesor i ndotjes mbetet emetimi i gazrave nga automjetet si dhe numri i lartë i automjeteve në vendin tonë. Sipas tyre, në Tiranë numri i makinave është 3 mijë për km2, më i madh se Amsterdami apo Berlini./klan