Një postim në rrjetet sociale i ish-Kryeministrit Sali Berisha për këmishat e kreut të qeverisë, ka bërë që të reagojë Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit e ka konsideruar shpifje deklaratën e Berishës, që sipas tij, ka blerë në New York këmisha 23 mijë Dollarë.
Sipas Ramës, paratë që do të përfitohen nga procesi gjyqësor do të shkojnë për të bërë përparëse për kopshtin.
“S’jam marrë kurrë me këtë qenef digjital, po në çdo vend demokratik (+ në ligjin shqiptar) çdo përhapës i shpifjes dënohet njësoj si shpifësi! Kjo shpifje do shkojë në gjyq. Hugo Bossi im quhet Arjan, qepja si në Nju Jork çmimi si në Tiranë. Lekët e gjyqit do i bëjmë përparëse kopshti“, thotë shefi i Ekzekutivit.
Mbrëmë, Berisha postoi në Facebook një mesazh të “qytetarit dixhital”, ku shkruante se Kryeministri Rama ka blerë në New York tek firma Hugo Boss këmisha për 23 mijë Dollarë.