Bashkia e Vlorës dhe Bashkia e Korfuzit do të zhvillojnë aktivitete me qëllim rritjen e numrit të turistëve, dhe zhvillojnë potencialet turistike të dy qyteteve bregdetare.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, zhvilloi një takim në Bashkinë e Korfuzit në Greqi ku u prit nga homologu i tij Kostandinos Nikolouzos.
Fokus i këtij takimi ishte turizmi, potencialet e mëdha ekonomike që Vlora ofron në këtë sektor.
Kryebashkiaku i Vlorës bëri me dije se u gjet mirëkuptimi për të vijuar më tej bashkëpunimin mes dy bashkive, me aktivitete reciproke ku në qendër do të jetë promovimi i vlerave më të mira, për të arritur tek qëllimi, thithja e sa më shumë turistëve dhe rritjen e potencialeve turistike.
Dritan Leli e ftoi kryetarin e Bashkisë së Korfuzit për të vizituar Vlorën. Ndërsa homologu i tij, ftoi përfaqësues të Zyrës së Turizmit të Bashkisë se Vlorës në “Samitin e Turizmit”, që pritet të zhvillohet në Korfuz në muajt në vazhdim.