Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim: Ervis Bregasi, 32 vjeç, banues në Cakran, Fier.(me profesion Jurist në ZRPP Fier).
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 26.05.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga Neni 259 i Kodit Penal.
Juristi Bregasi u denoncua në një emision investigativ, ku shfaqej duke i marrë një qytetari 300 mijë lekë për t’i dhënë atë që i takonte. Qytetari tregoi se është sorollatur shumë për të marrë një çertifikatë pronësie, për të cilën Ervis Bregasi i ka kërkuar 300 mijë lekë.
Vetëm pasi 60-vjeçari i ka dhënë lekët në dorë juristit, ky i fundit e ka siguruar se do të marrë çertifikatën.