Loading...

Do një ide ku të shkosh nesër? Fjorda di një vend

Nga Fjorda Llukmani

Nuk e ke planifikuar akoma fundjavën? Do t’ju jap një sugjerim që do të më kujtoni, pasi ta provoni. Divjaka është vetëm 1 orë e gjysmë larg Tiranës. Pasi kalon rrethrrotullimin e Rrogozhinës, do të shikoni një tabelë në të djathtë, që ju çon atje.

U nisëm të shtunën nga dreka me grupin. Kisha qenë në Divjakë para pak kohësh, por nuk e pashë dot të gjithën. Kësaj here e ndava mendjen të provoj çdo aktivitet. Më joshën shumë disa foto të Blendi Klosit në Instagram, ku dukeshin flamingot, duke u larë në lagunë.

U kujtova që ma kishte përmendur një shoqe shtegtimin e tyre, por s’e kisha marrë seriozisht. Flamingo në Shqipëri? Çne? Siç duket flamingot bëjnë një pushim në lagunë, gjatë shtegtimit të tyre. Pra te ne janë tranzit.

Dikush më sugjeroi të qëndroja te ‘Divjaka Resort’, që kohë më përpara ka qenë godinë e kavalishencës, pra tip shtëpi pushimi. Nga pamja e ballkonit shikoja vetëm pemë dhe deti, që lidhej me një urë goxha larg.

Dalim për një shëtitje buzë detit. Nuk kishte këmbë robi! Vetëm disa vendas që peshkonin. Duke kaluar urën, shoh një rrjetë peshkatarësh të varur. “Ueee s’kisha parë kurrë një rrjetë të tillë”,-komentoj e ekzaltuar. Një zotëri, që po gjuante gaforre filloi duke qeshur nga reagimi im. “Mos ma vi re!”– i thashë – “se kisha kohë, pa parë plazh me rërë. Po ti çfarë bën aty?”-e pyes me kuriozitet.

“Ja po kap gaforre. I mbledh dhe i shes, në restorantet pranë. Përdor mish pule për t’i tërhequr”.-ndërkohë shikoj gaforren,  duke ngrënë një pjesë të mishit, kur faaappp ra në grackë. M’u kujtua sa të shijshme janë makaronat me gaforre.

Ecim pak më tutje buzë detit. Shkretëtirë dynjaja! Nuk shikoje asgjë, përveç rërës, detit, disa kallamishteve dhe shpend që fluturonin. Çfarë qetësie nervash!

Pasditja kaloi duke shijuar perëndimin. Ra pak shi dhe u formua një ylber fantastik. Nga lindja shikonim ylberin, nga perëndimi diellin, që ulej me të gjitha nuancat e mundshme të portokallisë dhe rozës.

Mund ta klasifikoj si një nga perëndimet më të bukura, që kam parë në jetë. Kur u ulëm për të ngrënë darkë, u surprizova nga çmimet. Linguini me fruta deti 550 lek. Sallata jeshile 200 lek. “Qyqja, ku paskemi qenë më përpara, ngelëm tu harxhu lekë në jug”- i them grupit. Peshku pastaj ishte i freskët. Prej kohësh nuk kisha shijuar peshk të egër të atillë!

Ditën e diel, ia dedikuam aktiviteteve, që mund të bësh në Divjakë dhe në lagunën e Karavastasë. Më poshtë, po ju listoj disa prej tyre që nuk duhen humbur.

Vizita në pikën e informacionit

Pika e informacionit ndodhet në hyrje të Divjakës dhe ngjan si një shtëpizë me çati. E ndërtuar këtë vit, aty gjendeshin të gjitha informacionet e mundshme për lagunën, llojet e shpendëve etj.

Një prej punonjësve aty na përgjigjej me përpikëri për çdo pyetje. Më pëlqeu shumë një tavolinë me kapak, që tregonte llojet e shpendëve.

Sipër kapakut ndodhej, një info e shkurtër dhe kur e hapje shikoje emrin e zogut dhe informacione të përgjithshme. Doreza e kapakut ishte në formën e vezës, që bënte lloji i shpendit.

U kënaqa duke i hapur e mbyllur disa herë. Një tjetër tabelë tregonte tingujt që lëshonin. Kur shtypje figurën e flamingos, fillonte tingulli i tij. E preferuara ime ishte një zonë, që tregonte komplet lagunën në pamje 3D.

Legjenda e hartës, listonte pikat më të bukura turistike për t’u parë. Kur shtypje butonin e pikës, shfaqej një dritë që tregonte vendndodhjen.

Pak më tutje, pashë dhe një lëkurë gjarpri, që ishte më i gjatë se unë. Kur u çmendëm ne të rriturit, imagjino fëmijët!

LEXO DHE :  9 sendet që kanë një detaj të zgjuar, por asnjëherë nuk e kishit ditur për çfarë shërbejnë

Pelikani Xhon

LEXO DHE :  Video e rrallë e Dritëro Agollit: Deputetët flasin me këtë gjuhë, pastaj vriten njerëzit

Në zonën e pikës së informacionit ndodhet një pelikan. Ai është personazhi më i fotografuar i Divjakës.

Xhoni nuk fluturon dot, pasi ka një krah të thyer, prandaj kujdesen punonjësit e parkut për të. Vetëm kujdes mos e shqetësoni me zhurma, se të fut një shikim, që është gati për të të hapur sqepin.

Kulla 360 gradë

Aty pranë ndodhet dhe kulla e ndërtuar me dërrasa. Është 13 kate dhe hyrja kushton 100 lek.

I pagova lekët me skepticizëm, duke i thënë vetes, çfarë të veçante na paska aq shumë sa duhet të paguaja. Ja futa kot fare! Nga atje sipër shikohej gjithëëë laguna. Superpamje, për të kuptuar sa e madhe është.

Dukej dhe dalja e lumit Shkumbin nga atje sipër. Definitivisht 100 lekëshi më i hajrit, që shpenzova në Divjakë. Lexova disa portale që shkruanin “Kullë betoni në mes të parkut të Divjakës”. Jo të dashur miq është kullë me dërrasa, në të mirë të turizmit. Hapini sytë dhe mendjen kur shkruani!

Shëtitje me biçikleta

Pasi mbaruam me kullën, në pikën e informacionit, morëm me qira disa biçikleta të reja fringo. 250 lek ora në mos gaboj.

Guida e Divjakës na sugjeroi në hartë, që të shkonim te një pishë që ishte monument për shkak të vjetërsisë. Nisemi nga aty dhe pedalojmë në pistën midis pemëve. Kjo pistë është e ndërtuar me dërrasa ose paleta në mes të pyllit.

Çfarë relaksi t’i japësh biçikletës e të mbushen mushkëritë me oksigjen. Kudo shikoja pellgje me ujë dhe pemë. Për të shkuar te pisha devijuam diku majtas. Kudo ka tabela informuese kështu që e gjen kollaj, çdo vend që do të vizitosh. Kjo rrugë nuk ishte e shtruar me dërrasa, por tipike shteg pyjesh.

Kurora e pemëve na binte mbi kokë. Arrijmë te pisha 400-vjeçare dhe pushojmë, në stolat me tavolinë aty pranë. Pisha e Egër kishte lartësinë 35 metra dhe trashësi trungu 2.5 metra.

Në trungun e saj kanë ndërhyrë njerëzit, për të mbledhur rrëshirë. Kjo e fundit përdoret nga besimtarët, sepse tymi që lëshon rrëshira, kur digjet largon xhindet nga fëmijët e sëmurë (të paktën kështu thuhej).

Shëtitje me varkë

Përsëri me biçikleta shkojmë në parkimin e varkave, ku fillojnë kanalet lidhëse me lagunën e Karavastasë. Varka është e madhe dhe mban deri ne 10 persona. Kushton 200 lek personi.

Mendova se nuk do të zgjaste shumë, por e kisha gabim. Kemi bërë shëtitje rreth 1 orë e gjysmë. Nëpër kanale shikoje lloj-lloj shpendësh, që fluturonin ose që qëndronin serbes-serbes.

Na u duk vetja, si në kopsht zoologjik natyror. Askush prej nesh nuk fliste, vetëm shikonim pamjen dhe kafshët përreth.

Një moment, djali që i jepte varkës na thotë, nëse kemi dëshirë të hipnim në një tarracë dy katëshe të ndërtuar me dërrasa, për të parë përsëri pamjen e lagunës.

Nga atje sipër ishte komplet pamje ndryshe, nga ajo që pamë te ‘Kulla 360’. Duke qenë se, relievi është i tëri fushor, syri të shikon shuuuumë larg.

Këto janë sugjerimet e mia për ju. Fatkeqësisht nuk munda t’i shoh flamingot, pasi ato kishin lëvizur në një pjesë të lagunës, që vështirë të shkosh me makinë të thjeshtë. Plus dhe dielli perëndon pak më herët e s’kemi kohë t’i bëjmë të gjitha.

Gjithsesi Divjaka është një destinacion, që mund ta vizitoni vajtje-ardhje brenda ditës ose dy ditë në fundjavë. Perfekte për familjarë me fëmijë, çifte, grupe shoqërore ose si t’ju dojë zemra ju. /dritare.net

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com