Një konflikt banal që ka nxehur gjakrat dhe ka sjellë një krim në kryeqytet.
Zbardhen detaje nga plagosja me arme zjari e 18-vjeçarit dje në Tiranë, pas një konflikti që ka pasur me dy persona. Babë e bir, i kanë kërkuar te riut shpjegime se përse u zuri rrugën me kamion. I plagosuri është Mikel Shira, i cili ndodhej si pasagjer në kamionin që drejtohej nga shoku i tij.
Ai ka marrë një plagë arme zjarri në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës. Ndërsa autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, sipas Policisë janë shtetasit Abedin dhe Steljo Ismailati, 56 e 22 vjeç, babë e bir.
Policia deri tani ka arrestuar 56-vjeçarin Abedin Ismailati, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë që është gjetur në vendin e ngjarjes, me të cilën dyshohet se është plagosur adoleshenti. Ndërsa mbrëmjen e djeshme është shoqëruar edhe djali i tij, Steljo Ismailati, si bashkautor i ngjarjes.
Burime nga grupi hetimor thanë se debati mes autorëve dhe të plagosurit ka nisur për motive banale në një rrugë të ngushtë në zonën e Selitës në Tiranë. Babë e bir, të cilët po udhëtonin me një automjet tip “Golf”, me pretendimin se po vonoheshin për të kaluar në kthesën që ishte zënë nga kamioni, kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë nisur të debatojnë fillimisht me shoferin e mjetit të tonazhit të rëndë.
Shoferi ishte shoku i të plagosurit Shira, ndërsa të dyshuarit i kërkonin llogari pse u kishte zënë rrugën dhe po i pengonte për të lëvizur. Në debat ka ndërhyrë edhe 18-vjeçari dhe sipas burimeve ka pasur edhe një sherr të ashpër verbal me tone të larta. Në këtë kohë, ai është qëlluar me pistoletë në këmbë, ndërsa babë e bir janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pasi kanë hedhur armën në tokë.
Burimet thonë se ende nuk është saktësuar se cili nga të dyshuarit ka qëlluar me armë. “Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.2, falë një pune të mirëorganizuar hetimore kapën dhe shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale njërin prej autorëve të plagosjes, shtetasin Abedin Ismailati, 56 vjeç, si dhe në mbrëmje u kap i biri, Steljo Ismailati, 22 vjeç, banues në Tiranë.
Atë dhe bir, pas një konflikti për motive të dobëta në zonën e Selitës, plagosën në këmbë me armë zjarri shtetasin Mikel Shira, 18 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi dje zyrtarisht Policia e Tiranës.