Sot shënohen 107 vjet nga lindja e një prej poetëve që shenjoi letërsinë shqipe në fillim të shekullit të ’20-të së bashku dhe me emra të tjerë – Millosh Gjergj Nikolla –Migjeni.
Nga fondi dokumentar i Migjenit që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, sjellim për ta përkujtuar me lexuesit tanë tre poezi të tij nga me dorëshkrimet e origjinale.
I quajtur si poeti i mjerimit, edhe në këto tre krijime ndihet kjo frymë. Në lloji e tij, prej notave pikëlluese të vargëzimit, ai mbetet i pangjashëm dhe unik.
Kanga që s’kuptohet
Melodís kombtare
U vodh kanga nga zêmra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoj ûjen e së bijës, këndoj ûjen e të birit,
qan jetën e thyeme nga rrufé e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që djejnë dhimbë për të ngratit.
Kangë e vaj? Çë je? Thujma zemer kombi!
Zemër që ke vuejtun, që endé po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditt t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?
Oh – jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e një jetese që dergjet e dergjet
dhe tu ‘u dergjë ndoshta do hesht’ e molisun…
Vetmija
Më plakos mërzitja
që vetmija më sjell,
përbuzja, urrejtja
të gjithë sendet m’i mbshtjell
dhe kam shum anmiqë
të liqë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Por mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë:
– I mallkuem!
Së paku të më tallin:
– I uruem!
Së paku të më këndojnë:
– I yni zot!
Ose të më thonë:
– Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me ndëgjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë;
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jetën t’eme pa tingllim
që në vetëm po e kaloj
dhe s’po dij a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pa mshirë!
Më bajnë dhe unë të hesht me pa hirë;
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më flasin
zêmren t’eme që po vuen
dhe në merzi vetveten truen.