Instituti Europian Pashko ka publikuar dje listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Kriteret dhe parametrat e analizuar në këtë studim marrin në konsideratë treguesit e kapitalit aksioner dhe pjesët takuese proporcionalisht; Fitimin (proporcional) të vitit ushtrimor; Kapitalin neto proporcional.
Në listën ku renditen 10 biznesmenët që kanë fituar më shumë për vitin 2017-të, ka dy hyrje të reja, Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka, të cilët nuk janë renditur në studimet e mëparshme as në 15 biznesmenët me më shumë fitime në Shqipëri.
Shapllo dhe Orgocka rezultojnë se janë të dy aksionerë në kompaninë ‘GSA’, e specializuar në sektorin e energjisë. Në këtë kompani Shapllo zotëron 60% të aksioneve, ndërsa Orgocka ka 40%.
GSA është kompania më e madhe shqiptare që blen energjinë nga KESH dhe më pas ia shet atë OSHEE. Ajo shet gjithashtu matësat e energjisë elektrike dhe bën mbikëqyrjen e procesit.
Por kjo kompani nuk është e fokusuar vetëm në sektorin e energjisë elektrike, ajo ka ringritur edhe uzinën e ferro-kromit në Elbasan me një investim prej 20 milionë euro.
Investimet madhore të kësaj kompanie dhe fuqizimi i madh në sektorin e energjisë kanë ardhur kryesisht pas vitit 2015-të.
Sa i përket dy aksionerëve, Agron Shapllo renditej në të njëjtin studim i 16-i në listën e biznesmenëve me më shumë fitime për vitin 2016-të, ndërsa Serafin Orgocka renditej në vendin e 23. Një vit më pas, ata ia kanë dalë që të ngjiten respektivisht në vendin e 5-të dhe të 9-të.
Renditja sipas Fitimit të Vitit 2017
Samir Mane, Shefqet Kastrati, Grigor Joti, Rrok Gjoka, Agron Shapllo, Renis Tërshana, Agim Zeqo
Tom Doshi, Serafin Orgocka, Lefter Kallo