Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Apelimit, organit bazë të Vetingut, për ndërprerjen e Vetingut për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana. Kolegji i Posaçëm ka korrigjuar vendimin e KPK, duke vendosur përjashtimin për 15 vite nga sistemi i drejtësisë të Mirela Fanës, bashkëshortes së Neshat Fanës, i njohur si avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Mirela Fana është emëruar në Gjykatën e Lartë nga Parlamenti, me mbështetjen Partisë Demokratike, me vendim nr. 248, datë 23.4.2009. Më vonë, përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po nën ndikimin e PD, u emëruar bashkëshorti i saj, Neshat Fana, në krye të Shkollës së Magjistraturës. Emërimi i tij prodhoi një debate dhe polemike, ndërsa u shkarkua pas largimit të Berishës nga pushteti, por me debate dhe polemika.
Dorëheqja
Anëtarja e Gjykatës së Lartë Mirela Fana paraqiti dorëheqjen pranë Presidentit më datë 30.01.2017, për t’i shpëtuar Vetingut. Më datë 23.03.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi të pranojë dorëheqjen dhe të ndërpresë Vetingun për Mirela Fanën. Por, vendimi i KPK i jepte mundësi Mirela Fanës që të bëhej sërish pjesë e drejtësisë.
Në këto kushte, më datë 13.04.2018, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK, me argumentin se për zonjën Fana nuk ishte zhvilluar seancë dëgjimore si dhe nuk ishte marrë masa e përjashtimit me 15 vite nga drejtësia. Ndërkaq, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore si dhe anëtarët Sokol Çomo, Ardian Hajdari dhe Albana Shtylla vendosën më 10 shtator të 2018, ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur që Mirela Fana të mos ketë të drejtë për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në bazë të nenit G të Aneksit të Kushtetutës dhe të nenit 56, nenit 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 5, datë 23.03.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë: Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, është pushuar. Ndalimin e subjektit të rivlerësimit Mirela Fana të emërohet gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në vendim.
Hileja e KPK
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vendimin e tij, nuk parashikonte masën e ndalimit për zonjën Fana për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. “Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenin 56 dhe 57 të ligjit nr. 84/2016 ‘për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, vendosi të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar të znj. Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, është pushuar. Ky vendim u njoftohet znj. Mirela Fana, Komisionerëve Publikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ankimimi kundër këtij vendimi bëhet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe / ose Komisioneri Publik, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij dhe duhet të depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendimin e KPK.
Një pjesë e pasurisë së deklaruar nga Mirela Fana
Apartament me sipërfaqe 143 m2 në Tiranë. Apartament me sipërfaqe 127 m2 blerë 170 000 euro.
Bashkëshorti Neshat Fana ka blerë një livadh në Himarë me 2000m2 me çmim 600 000 lekë.
Kredi bankare në një bankë të nivelit të dytë, mbyllur për shkak të shitjes së kredisë në këmbim të vilës në ndërtim, detyrimi financiar i shlyer 335 500 euro.
Të ardhura nga depozitave bankare 78 568 lekë. Të ardhura nga qiraja 941 800 lekë. Të ardhura nga pagesa e qirasë studio ligjore 297 500 lekë.
Të ardhura nga paga 1 576 316 lekë. Të ardhura mësimdhënie në Universitetin Luarasi 139 046 Lekë.
Të ardhura në Shkollën e Magjistraturës 11 900 lekë. Neshat Fana të ardhura nga puna zyra e avokatisë 7 893 500 lekë. Bashkëshorti tërheqje nga një shoqëri tregtare 10 115 000 lekë.
Vajza Krisilda Fana të ardhura nga punësimi pranë Presidencës 807 560 lekë. Vajza Krisilda Fana të ardhura nga puna si pedagoge, 40 000 lekë. Djali Frenki Fana të ardhura nga puna 501 380 lekë.
Gjendje në llogari të bashkëshortit si person fizik 1 731 euro. Gjendje në llogari të bashkëshortit si person fizik 864 938 lekë. Bashkëshorti gjendje në llogari bankare 938 831 lekë. Bashkëshorti gjendje në llogari bankare si individ 831 euro.
Vajza gjendje në llogari bankare 30 134 lekë. Vajza gjendje depozitë bankare 400 000 lekë. Vajza llogari kursimi 21 513 lekë. Djali gjendje llogari rrjedhëse 82 774 lekë.
Arsyetimi i Kolegjit të Apelimit për pasojat e dorëheqjes
-Komisioneri Publik në ankim kërkon që Kolegji të analizojë e të shprehet, në rastet e paraqitjes së dorëheqjes nga subjekti i rivlerësimit, mbi zbatimin e pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës që ndalon emërimin për 15 vite në sistemin e drejtësisë për subjektin në fjalë pasi ky ndalim nuk ka gjetur pasqyrim as në bazën ligjore e as në pjesën arsyetuese të vendimit nr. 5, datë 23.03.2018 të Komisionit. Sipas arsyetimit të Komisionerit Publik, Kushtetuta dhe ligji nr. 84/2016, në nenin 56 dhe në nenin 58, pika 1, nuk i njohin Komisionit të drejtën për të vendosur si pjesë të dispozitivit të vendimit të tij parashikimin e pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës.
Konkretisht:“[…] Kompetencën e emërimit dhe rrjedhimisht edhe atë të ndalimit të emërimit për magjistratët, Kushtetuta ua njeh dy organeve të ngritura për këtë qëllim: Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. […] pjesë e vendimmarrjes së këtyre dy organeve kushtetuese, që deklarojnë mbarimin e mandatit të magjistratit për efekt të nenit G të Kushtetutës, do të duhej të ishte dhe ndalimi i parashikuar në paragrafin e dytë të këtij neni. Komisioni do të duhej të kishte hetuar dhe arsyetuar mbi aktin që materializon ndalimin e parashikuar nga neni G, pika 2 e Kushtetutës duke e bërë atë edhe pjesë të bazës ligjore të vendimit përkatës […]”.
-Së pari, trupi gjykues vëren që ndalimi i shprehur në nenin G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, nuk përbën kompetencë për vendimmarrje, por është pasojë që ligji krijon për dorëheqjet nga subjekte që zgjedhin të ushtrojnë këtë mjet procedural që garanton ndërprerjen e rivlerësimit, i cili në mungesë të dorëheqjes do t’i nënshtrohej ex officio procesit të rivlerësimit. Komisioni, në këtë aspekt nuk ushtron asnjë aktivitet diskrecional, por ka për detyrë të pasqyrojë pasojën që parashikon pika 2 e nenit G të Aneksit të Kushtetutës. Trupi gjykues çmon se në konkluzion të sa më sipër, ndalimi i emërimit në sistemin e drejtësisë për 15 vjet duhet të ishte pjesë integrale e vendimit të Komisionit. Bazuar në nenin 66, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, Kolegji orienton Komisionin se në çështje të ngjashme ndalimi i parashikuar në pikën 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës duhet të jetë pjesë përbërëse e vendimit të tij, si në pjesën arsyetuese edhe në pjesën urdhëruese të tij.