Loading...

Teqeja e Kaninës, Monument Kulture i kategorisë së parë

Statusi i objektit: Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i kategorisë së parë me vendim nr. 688, datë. 24. 01. 2006. Viti/koha e ndërtimit: Shek. XVI. Vendndodhja: Fshati Kaninë, Bashkia Vlorë.

Përshkrimi: Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit të njëemërt. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e Kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve. I pari që e përmend këtë fakt është udhëtari turk Evlija Çelebi, që vizitoi Kaninën në mesin e shek. XVII. Sipas tij, ”Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, është me emër në mbarë Turqinë, Arabinë dhe Persinë. Pranë teqesë është varrosur bamirësi dhurues i saj Gazi Sinan Pasha, së bashku me njerëzit e familjes dhe shpurës së tij”.

Albanologu John Georg Von Hahn, aty nga viti 1848, shkruan se varri i Sinan Pashës ndodhet pranë kësaj teqeje dhe është objekt peligrinazhi i besimtarëve nga vise të ndryshne të Turqisë. Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk egziston. Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për Kalanë e Kaninës.

Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlora. Edhe Ismail Qemali, pas vdekjes së tij në rrethana të mistershme në Peruxhia të Italisë, u varros fillimisht në këtë vendvarrim dhe rreth vitit 1932, u vendos që eshtrat e tij të prehen në vendin ku ishte ngritur flamuri në qendër të Vlorës, ku dikur ngriheshin sarajet e familjes së tij. Ky objekt ka rëndësi historike pasi ka shërbyer si varrezë e personaliteteve të familjes Vlora. Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem Bej Vlorës.

Bibliografia: Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër. ShB 55. Tiranë, 2008, f. 91; .G.V.Hahn., Studime Shqiptare. Jena, 1854. IDK, f, 106; I. Qemali., Kujtime. Botimet Toena. Tiranë, 2009, f. 25-26; E. Bej Vlora., Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera. Botimet “Koçi”, 2004, f. 59-61. Funksioni: Objekt kulti dhe vendvarrim, monument kulture. Hyrja: Pa biletë. Itinerari: Ndodhet në qendër të fshatit Kaninë dhe drejt monumentit mund të shkohet me çdo mjet transporti.

Fotografia e DRKK VlorëFotografia e DRKK VlorëFotografia e DRKK VlorëFotografia e DRKK VlorëFotografia e DRKK Vlorë

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com