ELEGJI PËR ANIJEN ‘’JONI’’ (NË KUJTIM TË TREMBËDHJETË PESHKATARËVE,QË IU SHUA YLLI I JETËS NË UJËRAT E DETIT JON, ) Si sot 25 vite më parë, ishte viti 1993 , ku ëndërra e këtyre të rinjve Vlonjat u pre në mes, Anija Joni ngeli në Sazan bashkë me shumë trupa peshkatarësh që nuk u gjendën nga familjarët edhe sot e kësaj dite. Nga të dhënat u gjetën vetëm disa në ujrat e Semanit.
Atje mbi valët e Jonit ligjëron vjeshta me ligje
pulëbardhat përlotur vajtojnë nëpër brigje.
Në horizont shfaqet imazhi i anijes’’Joni’’ mbi det
përkundet nën mjegull mbuluar me mister.
E panë nënëzezat dhe u ngritën nga varret
e panë gratë e mjera,ngritën kryet si malet
ulërijnë brigjet, çahen zemrat e grave vejane
Trembëdhjetë peshkatarët ,vajtojnë me vaje
Dhe valët psherëtijnë ,rrëzojnë lotë në breg
tej në horizont shkreptin një dritë e beftë
në krahët e mjegullës rrinë varur qindra ëndrra
në breg zbritën shpirtrat,që t’u këndohet kënga
Vetëm e të harruar,siç ishin në mes detit të pa anë
tri ditë e tri netë, vallen e vdekjes hodhën mbi valë
Dhe yjet vështronin heshtur,si iu dilte burrave xhani
si dridhej puthja e vashës,në buzën e njëzet vjeçarit
Heshtja dhe errësira derdhën tinguj zije përreth
gjethe drite rrëzoi hëna mbi trupat e zbehtë
mbi mjekrrat ,që dridheshin ,si gjethja në vjeshtë
mbi brigjet e nëmura ku deti flaku trupat pa jetë
Varr është bërë dhimbja në kraharorin e nënave
rrebeshe e shqota lëshojnë venat e zemrave
mbi detin e thellë, që s’ngopet duke përpirë jetë
mbi udhët e fatit ku njeriu kryqëzohet nga rrufetë.
©copyright reserved Mimoza Çobo.