“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po pengojnë bisedimet e pranimit të Shqipërisë ndërsa theksojnë korrupsionin dhe prodhimin e kanabisit të vendit ballkanik”.
Një nga gazetat e njohura britanike, Express, shkruan se është bllokuar oferta e BE për të nisur negociatat me Shqipërinë.
Express, e njohur për qëndrimet e saj kritike ndaj BE-së, shkruan se shtetet anëtare të Bashkimit Europian po pengojnë bisedimet e pranimit të Shqipërisë, ndërsa sulmojnë korrupsionin dhe prodhimin e kanabisit në vendin ballkanik.
Gazetari Matt Drake shkruan se “në qershor, Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave për Shqipërinë që të bashkohet me bllokun”.
“Por vendet e BE, veçanërisht Franca, po tentojnë që të bllokojnë ofertën për anëtarësim. Parisi e justifikon kundërshtimin ndaj Shqipërisë për shkak të problemeve të vendit ballkanik me korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Gazetari shkruan se sipas Financial Times në vitin 2017, asnjë vend europian nuk ka kultivuar më shumë kanabis se Shqipëria.
“Ka dyshime për kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Nuk janë vetëm vendet europiane, por edhe Shqipëria vetë. Vendi ka një nivel ekstremisht të lartë pakënaqësie dhe qindra-mijëra janë larguar nga vendi vitet e fundit”.