Bashkia e Matit iu jep titullin “Nderi i Bashkisë” pas vdekjes 3 punonjësve që u vranë sot në fshatin Sh’lli pas një konflikti me kryeplakun e këtij fshati Kujtim Koxha.
Vendimi u mor në mbledhjen e këshillit bashkiak që u mblodh sot pasdite pas ngjarjes së rëndë.
Po kështu u kërkua nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Matit që tre punonjësit të shpallen dëshmorë.
Bashkia ka shpallur të premten ditë zie dhe flamuri i bashkisë do të ulet në gjysmë shtize.
Ndërkaq mësohet se bashkia ka marrë përsipër shpenzimet e ceremonive mortore të tre viktimave.
DEKLARATË
Këshilli i Bashkisë Mat i mbledhur me datë 11.10.2018 ora 18:30 pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin “Shlli” me 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, doli me këtë deklaratë:
Ju drejtohemi së pari familjarëve për tju shprehur dhimbjen e sinqertë për humbjen e të dashurve Tuaj duke ju përcjellur ngushëllimet me besimin në forcën Tuaj për përballimin e kësaj humbje të madhe.
Dënojmë kolegjialisht aktin kriminal të ndodhur ndaj punonjësve të Bashkisë Mat të rënë në krye të detyrës si dhe inkurajojmë të gjithë punonjësit e Bashkisë Mat në kryerjen e detyrës së tyre pa u lëkundur ndaj këtyre fenomeneve. Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe ndëshkimin e autorëve.
Këshilli i Bashkisë Mat në mënyrë unanime vendosi për të rënët dhënien e titujve të nderit “ Nderi i Bashkisë Mat” për rënien në krye të detyrës.
Këshilli i Bashkisë Mat vendosi dhe uljen e flamurit Bashkiak në gjysmë shtizë.