Pronari i një fidanishteje në Lushnjë iu bë pritë mbrëmë vonë ndërsa ishte duke shkuar në shtëpi. Autori ka pritur i fshehur dhe në momentin që Qemal Halla ka zbritur nga makina për të hapur portën e ka qëlluar nga afër me plumb në kokë.
Ngjarja ka ndodhur në orën 21:30 teksa Qemal Halla kthehej pasi kishte qenë për të pirë kafe në lokalin e të vëllait në fshat. 48 vjecari Halla, ish-kryeplak i fshatit Shegas është ekzekutuar me një plumb në kokë nga një person ende i paidentifikuar. Në lidhje me ngjarjen policia ka ngritur disa postblloqe në disa rrugë të zonës.
Pas ngjarjes viktima është dërguar në morgun e spitalit të Lushnjes, ndërsa policia është drejtuar për tek familjarët duke pyetur rreth ngjarjes nëse ata kishin ndonjë dijeni. Mësohet se Qemal Halla jetonte vetëm me bashkëshorten e tij, pasi djali i tyre i vetëm jeton në Greqi.
Ndërkohë të afërmit e viktimës shprehen se Qemali nuk ka shfaqur ndonjë problem për të dyshuar në lidhje me ndonjë problem që mund të kishte. Ata thonë se gjatë gjithë kohës ka qenë i qetë. Policia ende nuk ka asnjë pistë zyrtare hetimi për ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje rreth 23 persona, megjithatë nuk ka asnjë person të ndaluar.
Dyshohet se një nga pistat mund të jetë një çështje pronësie dhe konkurrence pasi viktima është prodhues i fidanëve të ullirit, por nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë grabitje të mundshme. Halla është ekzekutuar me kallashnikov ndërsa një plumb e ka kapur në kokë teksa kishte zbritur nga automjeti tij për të hapur portën e oborrit dhe të parkonte makinën në shtëpi.