Vetëm për disa ora dore…
Ajo që ngjau më 10 tetor të vitit 1988 do të ishte një njollë e errët për futbollin shqiptar.
Do të kishte pasoja të rënda për ekipin më të mirë shqiptar të momentit.
Ndodhte kur “Flamurtari” ishte në kulmin e tij.
Ishte skuadra e parë shqiptare që kishte kaluar në turin e tretë të Kupave të Europës.
Ishte skuadra që synonte çdo vit titullin kampion, por tolerimet e ekipeve të provincave ndaj ekipeve të Tiranës dhe ndëshkimi i arbitrave, nuk e lejonin ta fitonte atë.
Kishte fituar dy Kupa Republike per 3 vjet.
E “shqyenin” nëpër dogana kur kthehej triumfator nga ndeshjet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë.
Por, kaq nuk mjaftonte.
“Çunat e Vlorës” nuk përmbaheshin edhe pas këtyre masave. Ishin kthyer në makthin e futbollistëve të përkëdhelur të kryeqytetit, të ekipeve të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe të “17 Nëntorit” Duhej gjetur një zgjidhje për ta ndëshkuar sa më rëndë ekipin e “Flamurtarit”, me qëllimin final, që të mos e ngrinte më kokën.
Dhe në Tiranë, e vranë mendjen dhe e gjetën.
T’i dënonin lojtarët për shfaqje të huaja gjatë një udhëtimi për në Poloni. Në një kohë që lojtarët e Tiranës, kur dilnin jashtë shtetit, e kishin gati të ligjshme “shfaqjen e huaj”. Komiteti i KP i BFSSH-së në mbledhjen e datës 10 tetor pasi analizoi problemin e shfaqjeve të huaja të futbollistëve të “Flamurtarit” vendosi:
Futbollistët Vasil Ruci, Petro Ruci dhe Alfred Ziaji, të përjashtohen nga veprimtaritë sportive kombëtare, për shfaqje të huaja të përsëritura.
Futbollistët Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Viktor Daullja e Sokol Kushta, përjashtohen nga veprimtaritë sportive kombëtare me afate të ndryshme, si dhe u jepet masë me paralajmërim futbollistëve Agim Bubeqi, Eqerem Memushi, Latif Gjondeda, Perlat Sevo dhe Anesti Arapi.
Ekipi i futbollit “Flamurtari” dënohet një vit nga veprimtaritë ndërkombëtare kur e fiton të drejtën për të marrë pjesë në to dhe asnjë futbollist i tij nuk do të aktivizohet në veprimtaritë ndërkombëtare deri në 30 qershor 1989.
Trajnerëve të ekipit Niqifor Thomai dhe Fatmir Gjebrea si dhe drejtuesve të organeve të fizkulturës së rrethit Vlorë, Gani Mezini e Ilir Çela u jepet vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për punë të dobët edukative me ekipin e futbollit