Një rrokadë e vërtetë pritet të ndodhë në radhët e PS në zgjedhjet e radhës. Këtë e ka lënë të kuptohet vetë Kryeministri Rama i cili vijon të jetë shumë i pakënaqur me një pjesë të madhe të kryebashkiakëve, pasi kanë injoruar platformën e bashkëqeverisjes dhe turet e takimeve të bëra me banorët. ‘Sot’ ka mësuar se në fillim të kësaj jave degëve të PS, krerëve të bashkive dhe deputetëve u është dërguar një udhëzim, me qëllim përgatitjen për zgjedhjet vendore.
Kryeministri Rama i ka udhëzuar të gjithë që të nisën përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë. Në udhëzim janë përcaktuar kriteret që duhen përmbushur. Po ashtu, ministrave, deputetëve, krerëve të degëve dhe krerëve të bashkive u janë lënë detyra që duhen përmbushur. Por gazeta ka mësuar se në zyrën e kryeministrit Rama ka mbërritur një raport i plotë sa i takon angazhimit të kryebashkiakëve. Rama ka thënë disa herë se do i denigrojë ata që nuk angazhohen te platforma e bashkëqeverisjes, ndërsa ka dhënë sinjale dhe se mund të mos i rikandidojë.
Sipas raportit të siguruar nga gazeta, deri më tani vetëm 13 kryetarë bashkie i kanë realizuar kërkesat e vënë nga Rama. Bashkitë në fjalë janë: Bashkia e Malësisë së Madhe, e Librazhdit, Durrësit, Pukës, Himarës, Vlorës, Belshit, Konispolit, Lushnjës, Poliçanit, Roskovecit, Shijakut dhe Urës Vajgurore. Sipas raportit, edhe Bashkia e Tiranës ka pasur performancë të mirë, por gazeta ka mësuar se puna e Veliajt nuk do matet aty, pasi kryeministri është shumë i pakënaqur me të.
Analiza e bashkive/ Përveç pjesëmarrjes në platformën e bashkëqeverisjes, në raport thuhet se është bërë një vlerësim i punës së të gjithë kryebashkiakëve mbi 6 komponentë, vlerësim i cili do vijojë. Elementi i parë ku është bazuar vlerësimi është ai i punësimit. Kryeministri ka bërë një bilanc të punësimeve që ka bërë secila baski mbi bazë raporti popullsie. Elementi i dytë është ai i performancës ekonomike, ku vlerësohet se sa janë mbledhur taksat dhe detyrimet e tjera.
Elementi i tretë është ai i investimeve, ku po matet se sa investime kanë bërë në zonat e tyre krerët e bashkive. Elementi i katërt është ai i ujësjellës-kanalizimeve, ku po shihet e si është procesi i furnizimit me ujë. Elementi i pestë është i detyrimeve të prapambetura dhe elementi i gjashtë është performanca në bujqësi dhe mbështetja për fermerët. Sipas informacioneve, deri më tani vetëm 13 bashki i kanë përmbushur këto kushte, ndërsa 21 të tjera janë shumë mbrapa. Për këtë arsye shefi i qeverisë u ka lënë afat dhe disa muaj që të ecin me këto prioritete.
Nëse sërish nuk ka performancë të mirë, atëherë ata që kanë dështuar nuk do rikandidojnë. Në takimet që kryeministri ka pasur ditët fundit, në mbledhje grupi apo në Korçë në fundjave, është shprehur mjaft i acaruar me kryebashkiakët. Ai ja u ka bërë të qartë të gjithëve se kush që nuk u përgjigjet shqetësimit të qytetarëve do largohet. Sipas burimeve, në zgjedhjet vendore do ketë shumë emra të njohur për kandidatë, ku disa do jenë deputetë. Që tani emra të njohur kanë shfaqur ambicie për të marrë frenat e pushtetit lokal dhe pritet që të ketë shumë lëvizje.