Kisha e profetit Ilias në Libohovë, e shpallur monument kulture, por që rrezikonte shembjen, do të restaurohet pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes të disa banorëve të kësaj zone.
Ankesa në platformën e bashkëqeverisjes u adresua në datën 2 shtator nga Doloreza Mosko, e cila përfaqësoi banorë të fshatit Stegopul, Bashkia Libohovë.
Shqetësimi i ngritur nga banorët lidhej me mirëmbajtjen e monumentit të kulturës – ‘’Kishën e Profet Ilisë’’, pasi çatia dhe muri i jashtëm i kësaj kishe monument, rrezikojnë shembjen.
5 ditë pas ankesës një ekip me specialistë nga Instituti i Monumenteve dhe DRKK Gjirokastër vizituan Manastirin e Profet Ilias në fshatin Stegopul të Gjirokastrës për të parë situatën në vend.
Janë bërë verifikime, fotografime e rilevime dhe në datë 26 shtator 2018 u miratua projekti për restaurimin me objekt: “Kisha e profet Ilisë, Stegopull, Libohovë”.
Qytetarja iu drejtua platformës në datën 2 shtator 2018 dhe mori përgjigje më datë 17 shtator 2018. /atsh