Loading...

MIKPRITJA SHQIPTARE

Shkruan: Zymer MEHANI

-Çaste të paharrueshme nga vizita në Familjen REXHA…

Tani më dihet se vlerat kulturore janë tepër të rëndësishme për një popull, janë tregues të kulturës, personalitetit, identitetit të një kombi. Çdo vend duhet të ruajë, të vlerësojë traditat, normat, kulturën e kombit të tij. Karakteristikë e shqiptarëve dhe me vlerë të madhe, veç të tjerash është edhe mikpritja. E një mikpritje të tillë e përjetuam sot, më 9 janar 2017 në Familjen Rexha. Është kjo një familje me tradita kombëtare që dha dhe bëri shumë për Kombin tonë. Konkretisht është Familja e të paharrueshmit, Komandantit të UÇK-së Abedin Rexha-SANDOKANI-T. Ne sot vërtet u ndjemë mirë në këtë Familje, ku me dorë në zemër na pritën e nderuara zonja Sanije (bashkëshortja e Dëshmor Abedinit) dhe çuni i Sanijes dhe i Abedinit, SOKOLI.

Populli ynë thotë se i ndershmi di të të nderojë. Po, s’ka dilemë, kjo është e vërtetë. Respekti, nderi, ngrohtësinë që gjetëm në këtë familje dhe nga këta njerëz do të na mbetet gjatë në kujtesën tonë. Të bëhej zemra mal kur e dëgjoje zonjën Sanije duke diskutuar për atdheun dhe kombin. Të kaplonin dhe emocionet kur e shikoje SOKOLIN, në sytë e të cilit shihnim figurën e Abedin REXHËS…… Vërtet emocionet tona ishin të përziera me dhimbje dhe krenari….sepse jemi njerëz dhe nganjëherë s’mund të qëndrojmë, por u nënshtrohemi emocioneve.

S’po e zgjas më shumë, sepse për Familjen Rexha ka çfarë të thuhet me ditë të tëra, por në emrin tim dhe të dy miqve të mi z. Murat Fetahu dhe Prof. Enver Llumnica, shoqes sonë të idealit, kësaj motre shqiptare dhe djalit të saj, SOKOLIT, me dorë në zemër u themi: Zoti ju dhashtë mirëqenien dhe Ju faleminderit për pritjen që bëtë për ne.

Poezi: Zymer Mehani

NË FAMILJEN REXHA

1.

Si duhet atdheu dhe kombi,

Nëse doni ta mësoni,

Ju lutem, mos vononi,

Në FAMILJEN REXHA Shkoni!

2.

Nëse doni të kuptoni

Çfarë është NDERI dhe BESA,

Ju lutem, mos hezitoni,
Shkoni në Familjen Rexha-

Portë e hapur për mikun,

Emër i lavdishëm nderi dhe krenarie.

Vatër e Heroit,

Shembull atdhetarie.

3.

Nëse doni ta dini

Ç’është MIKPRITJA E BESA SHQIPTARE

Ju lutem, shkoni, shkoni Te  Rexhajt-

Te kjo Familje e madhe-

Emër që s’pat frikë,

Me zemrën çelik,

Kështjellë e dëshmorit,

Besëlidhje e malësorit.

4.

Nëse doni ta dini

Si duhet Kosova dhe Nënë Shqipëria,

Ju lutem, rendni e shkoni

Te MOTËR Sanija-

Tmerr për armikun

Dhe dridhje për tradhtinë,

Besnike e Komandant ABEDINIT,

Shqipe, gjeraqinë.

E betuar me besa-besë,

Në Pushkë të SANDOKANIT,

Burrneshë me gjithë zemër

Motër e NUHI LUANIT.

5.

Nëse doni ta dini

Si duhet Liria dhe Flamuri

Ju lutem, sa më parë shkoni,

Te trim SOKOL BURRI-

Te Familja e tij shkoni,

Të kaluarën ta mësoni

6.

Dje, në stinën e trazuar,

Me gjëmba e shpuar,

Me therra e përgjakur,

Me dhembje e përflakur.

7

E sot, plot krenari

Shembull i qëndresës

Për mua dhe për ty

8

Dje, në ditët plot stuhi,

Nën çati t’shtëpisë reja e zezë vërtitej,

Jua përmbysi bukën e kripën

nga mllefi i pabesisë

9

Ju, FAMILJE ATDHETARE

I hapët kraharorët para tytave të barbarit,

Mburojë dhe istikam iu bëtë vatanit,

Derdhët gjak dhe zjarrin në grusht e shtrënguat,

E plumbat e gjaksorëve i shkritë nëpër duar

10

Kundër jush hapën zjarr

çetnikë të urrejtur me disa tradhtarë

11

Ju, FAMILJA REXHA,

Me trimëri dhe guxim,

Armiq dhe tradhtarë,

Të atdheut tim,

Me turp i dëbuat,

I shporrët në pakthim.

Sot me ju jem’ krenarë,

Ju do Kombi im.
Me respekt të veçantë: Zymer Mehani, Besianë/njekomb

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com