Historia e Xhisiela Malokut duket se nuk përbën vetëm një fenomen shqetësues sa i takon aspektit të dhunës. Por faktit se të gjithë bëjnë jetë të dyfishtë. Genc Burimi, gazetar shqiptar që prej vitesh jeton dhe punon në Francë thotë se, ky përdhunim psikologjik.
GENC BURIMI/ Kryeministrisë, me moton “Kundër përdhunimit shtetëror” të Xhisela Malokut. Që në fillimet e kësaj historie të dhimbshme, ka një eksitim kolektiv për të gjetur si kokë turku më të fortin, në këtë rast Kryeministrin. Është e njëjta skenë e një linçimi publik si ajo pak vite më parë, kur Kokëdhima, asaj kohe deputet, u trajtua si maskara nga një pjesë e mediave, meqenëse një tip në skuadrën e tij bënte shantazhe seksuale pa kursyer të miturat.
Edi Rama ka shume mëkate. Shumë. Por ai s’mund të mbajë mbi supe mëkatin shekullor të këtij populli, që konsiston në degradimin e vazhdueshëm të grave. I forti nuk është vetëm Kryeministri. I forti nuk është vetëm deputeti. Te shqiptarët, kur bëhet fjala për raporte me “seksin e dobët”, i forti është kudo. I forti është babai që rreh e vret gruan apo përdhunon të bijën në një incest të pafund. I forti është vëllai që masakron të motrën pse e pa me një mashkull që nuk i pëlqen apo që ai vetë përdhunon një femër që nuk “ia var”.
I forti është ai pronari i një biznesi apo ai drejtor drejtorie, kryeredaktor apo shef policie, të cilët nuk e shohin se ku është problemi, nëse vartësja po nuk ua dha me të butë e me dhurata, do jepet me dhunë. Sundon një formë vetësigurie pa kufi te “të fortët” në Shqipëri se viktima do ta qepë gojën se s’ka polic ta besojë versionin e femrës para autoritetit të të fortit. Kjo është shoqëria shqiptare.
I forti është kudo në çdo hap që hedh, në çdo dyqan ku hyn, në çdo prag porte që kalon, shkurt në çdo qelizë të jetës ende otomane shqiptare. Po, po, në çdo qelizë, përfshirë dhe klasat “superiore”, intelektualët, shkrimtarët, diplomatët. Aty i forti është ai që ka një varg dashnoresh, që gruaja e di, por që duhet të gëlltisë gjithçka sepse i forti e hedh në rrugë me fëmijë dhe pa të ardhura. Po ky përdhunim psikologjik, a nuk meriton të konsiderohet po me aq respekt e vëmendje se ato kronikat e zeza të pjesës inferiore të shoqërisë?
NJË FENOMEN I “STËR”NJOHUR, I CILI DUHET TRAJTUAR DHE JO VETËM ANKIMUAR
Nuk numërohen raportet e Amnisti International, të Bankës Botërore, të UNICEFit etj. mbi dhunën ndaj femrave dhe të miturve në Shqipëri si një plagë e vërtetë dhe e pashërueshme e shoqërisë shqiptare. Të tregosh me gisht me të gjatin, Edi Ramën, si rrufepritëse e gjithë këtyre turpeve kombëtare, është jo vetëm t’i biesh nga rruga me shkurtër, por është një fyerje për të gjitha ato gra, kolege apo fqinje, nëna apo motra, që kanë pasur fatin e keq të kryqëzojnë rrugën e një të forti “jomediatik” që e ka brutalizuar, një i fortë i padukshëm, siç ka me qindra të tillë në Shqipëri
Prandaj, vjen një moment dhe u duhet thënë stop llafeve dhe manifestimeve të solidaritetit dhe duhet vepruar konkretisht. Ja një mini-platformë: Përtej instrumenteve ligjore hijerëndë për të luftuar korrupsionin në politikë dhe krimin e organizuar si ”SPAK” apo “Byroja Kombëtare e Hetimit”, le të mblidhet Kuvendi në emër të Xhesila Malokut dhe të krijojë një Prokurori të posaçme e specializuar për të trajtuar dhunën kundër grave. Ky do të ishte një revolucion që s’ka ndodhur kurrë gjetiu. Vetëm kështu do të kemi garancinë se ‘Xhesilat’ e nesërme nuk do të sorollaten dhe rropaten nga një komisariat në tjetrin për të regjistruar kallëzimet e tyre. Kësaj prokuroreje të posaçme t’i jepen sigurisht mjetet e nevojshme humane dhe materiale që të regjistrojë me ligj çdo kallëzim penal të çdo femre në territorin e Shqipërisë kundë çdo “të forti” e më pak “të forti” në territorin e Shqipërisë.
Deputetët të ashpërsojnë Kodin Penal të Shqipërisë. Sot, përdhunimi dënohet me tre deri 10 vjet burg (neni 102). I njëjti nen në Kodin Penal të Francës dënon përdhunuesit me 15 vjet burg… Parlamenti, po ashtu, të ngrejë një komision hetimor (kryesia e e cilit t’i besohet opozitës) për të hetuar pa barrë politiko-emocionale të gjitha disfunksionimet që kanë ndodhur në administratë dhe polici në zinxhirin e gjatë të fatkeqësive që ka përjetuar Xhesila Maloku
Përtej reformës penale, përtej shkumës populisto-mediatike, në fushën e dhunës kundër grave, kemi arritur në një stad, që as dënimi i monstrave, as shkarkimi nga puna i policëve apo as rrëzimi i një kryeministri nuk do të mjaftojnë të shkulin një tumor me rrënje në shoqëri, të cilin vetëm edukimi i vazhdueshëm në shkollë i më të rinjve do të mund ta luftojë në një periudhë afatgjatë./ PANORAMA