Grupi i punës i përzgjedhur në Akademinë e “100 Fshatrave” për Vlorën për dhjetë ditë rresht do të jetë në fshatrat e përcaktuar në këtë bashki për të vizituar zonat dhe për të folur me banorët duke pasur prekjen finale për një produkt më të mirë në fund.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë takimit me këtë grup theksoi se “grupi i arkitektëve të rinj profesionistë do të jenë 10 ditë në terren ku do të vizitojnë 3 fshatrat e përfshirë në listë Tragjasin, Kaninën dhe Zvërnecin për t’u takuar me banorët dhe për të hartuar një projekt konkret”.
“Janë 10 ditë që ju do të shkoni në fshatrat që janë përcaktuar në 100 fshatrat dhe pse jo për të patur një opinion më tepër se kush mund të përfshihet në 100 + fshatrat”, nënvizoi Leli. Sipas tij, në këto zona ka pafund histori.
“Unë kam lobuar që këto fshatra të jenë të përzgjedhur për arsye të potencialeve të jashtëzakonshme turistike që ato kanë”, tha Leli.
Kryetari i bashkisë u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se banorët e zonave edhe këtë herë do të jenë mikpritës për të gjithë këtë grup të rinjsh, profesionistë të shkëlqyer.
“Dua të transmetoj mesazhin te banorët, të jenë mikpritës për këtë grup profesionistësh që do të shkojnë në shtëpitë e tyre në sheshet e fshatrave të mikpriten në mënyrë që produkti final që ne do të kemi në kuadër të kësaj pakete të madhe turistike, sepse ne fakt ka ndryshim infrastrukturtor, por qëllimi është që t’i ngrejmë nivelin këtyre zonave për t’i pasur si potenciale turistike në vitet që vijnë dhe bashkëpunimi me faktorin e komunitetit është i rëndësishëm”, nënvizoi Leli.
Duke folur për sezonin turistik të këtij viti për Vlorën, Leli tha se “ka qenë një nga sukseset më të mëdha historike turistike të këtij qyteti. Unë dua që me punën tuaj dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të kemi shtesë produkti turistik për ata që vizitojnë qytetin”.
Kryetari i bashkisë e njohu grupin e punës edhe me iniciativën e tij në kuadër të paketës “100 fshatrat”.
“Ne kemi zgjedhur një fshat tjetër më tepër, Dukatin , ku me fonde të bashkisë dhe me mbështetjen nga qeveria zvicerane ta përfshijmë atë në “100 +fshatrat”. Kulla e Dervish Aliut që është një nga objektet e rëndësishme që kemi në qytet të arrijmë të bëjmë më shumë pika atraktive për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, për vizitorët që vijnë jashtë kufijve për të vizituar Vlorën”, theksoi Leli.
Po ashtu, Leli bëri të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kemi inkurajuar dy projekte agroturizmi në këto zona, një është në zonën e Zvërnecit, është në fazën e studimit dhe miratimit është pranuar si projekt ide dhe një tjetër në zonën e Llogarasë”.
Dorina Papa, e cila kryeson grupin e punës tha se “ne do të qëndrojmë në Vlorë 10 ditë për të vizituar 5 fshatra, ku do të marrim informacion nga banorët do të përpiqemi të komunikojmë me komunitetin dhe realizojmë pas një periudhe pune 3 mujore një projekt dhe një vizion mbi mënyrën sesi këto fshatra do të zhvillohen”./atsh