Një Tetori shënon Ditën Botërore të Moshuarve, shpallur më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Disa Fakte nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë:
– Moshimi është një fenomen global. Popullsia e moshuar në botë, 60 vjeç e lart, është duke u rritur me shpejtësi. Në vitin 2050, rreth 80 % e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara. Moshimi i popullsisë po ndodh paralelisht me urbanizimin e shpejtë: nga viti 2007 më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe në vitin 2030 kjo shifër pritet të rritet në më shumë se 60%.
– Pabarazitë e mëdha në shëndet vazhdojnë, siç duket qartë nga dallimet e jetëgjatësisë në lindje. Për shembull, ndërsa Japonia ka jetëgjatësinë më të lartë në botë në 82.2 vjet, në disa vende si Afrika kjo shifër është 40 vjet më e ulët.
– Brenda vendeve, pabarazitë në shëndet janë gjithashtu të rëndësishme
Pra, grupet më të larta social-ekonomike mund të jetojnë deri në 20 vjet më gjatë se njerëzit e grupeve të ulëta social-ekonomike.
– Deri në vitin 2050, afër 80% e të gjitha vdekjeve pritet të ndodhin në njerëzit mbi 60 vjeç. Shpenzimet shëndetësore rriten me moshën, por më të përqendruara janë në dy vitet e fundit të jetës, pavarësisht se sa i vjetër është dikush. Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, është e rëndësishme t’u sigurohet këtyre viteve shëndet, në mënyrë që shpenzimet e kujdesit shëndetësor të mund të menaxhohen.
– Abuzimi me të moshuarit është në rritje me plakjen e popullsisë dhe me dinamikën e ndryshimeve sociale. OBSH vlerëson se 4-6 % e personave të moshuar në mbarë botën vuajnë nga një formë abuzimi si fizik, psikologjik, emocional, financiar ose për shkak të lënies pas dore (neglizhimit).
Për të moshuarit, diskriminimi lidhur me moshën është një sfidë më vete. Kufizimet nga shërbimet sociale apo etiketimet në media paragjykojnë dhe përjashtojnë të moshuarit në komunitetet e tyre, pikërisht në atë moment të jetës kur vlerësimi duhej të ishte maksimal.
Dita Botërore e të Moshuarve kërkon të demostrojë se një përfshirje e të gjitha moshave është vendimtare për të pasur qëndrueshmëri, barazi, mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë. /atsh