Loading...

Shkodër, përurohet Shtëpia e të Moshuarve, investim 110 mln lekë

Shtëpia e të Moshuarve në Shkodër është rehabilituar tërësisht, me një investim prej 110 milion lekë nga buxheti i shtetit.

Në Ditën Botërore të të Moshuarve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri Bushati vizituan ambientet e reja të Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër.

“Kemi detyrimin të investojmë për të moshuarit, për kontributin që kanë dhënë për shoqërinë, posaçërisht për ata që kanë më shumë nevojë, ndaj siç investuam këtu në Shkodër, rijetësojmë rrjetin e institucioneve të përkujdesit për të moshuarit pa përkrahje në të gjithë vendin”, -u shpreh Ministrja Manastirliu.

“Kjo qendër do shërbejë si model suksesi. Kur po vizitoja sot këtë qendër më erdhi në mend një thënie e Nënë Terezës e cila thotë, kemi ardhur në jetë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe dhe puna e ekipit, Ministres Manastirliu dhe Qeverisë e dëshmojnë më së miri këtë”, u shpreh Ministri Bushati.

Investimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër, nuk është i vetmi. “Brenda 6 muaj e do të hapim shtëpinë e të Moshuarve në Palasë dhe do të rijetësojmë institucionet e përkujdesit në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Duke synuar krijimin e një sistemi të unifikuar të ofrimit të shërbimeve të integruara shoqërore dhe shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mundësuar është vizitat e specializuara për secilin nga 299 të moshuarve në qendrat tona rezidenciale.

Ministrja Manastirliu deklaroi gjithashtu se “Në kuadër të reformimit të sistemit të shërbimeve të kujdesit shoqëror kemi miratuar standardet e shërbimit të asistencës shtëpiake për të moshuarit, duke hedhur një hap të rëndësishëm për rritjen e kujdesit social për të moshuarit në nevojë”/.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com