Kanuni i Lekë Dukagjinit ose kanuni i malësisë është përmbledhja e ligjeve, rregullave, zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Veriut në një libër, në rrjedhën e disa qindvjeçarëve, para dhe pas jetës së Lekë Dukagjinit. Thelbi i Kanunit të Lekë Dukagjinit janë fjalët e urta të dala nga goja e tij, që u ruajtën (dhe u pasuruan) brez pas brezi për gati gjashtë shekuj.
Ata janë përçuar gojarisht nga brezi në brez. Ligjet e “Kanunit” kane shërbyer për më shume se pesë qindvjeçarë si mënyra e themeltë e sjelljes shoqërore dhe vetëqeverisjes për klanet e Shqipërisë së Veriut, edhe atëherë kur rajoni sundohej nga Perandoria Osmane. Rëndësia e Kanunit në historinë e popullit shqiptar mund të mbivlerësohet pak, por rregullat dhe normat e tij vazhdojnë ende të ushtrojnë një ndikim të ndjeshëm ndër shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë, si edhe në vendet tjera në të cilat kanë shtegtuar shqiptarët.
Forma e pare e tij e shkruar i referohet Lekë Dukagjinit edhe pse ka ekzistuar që më përpara. Libri i Kanunit të Lekë Dukagjinit u mblodh dhe u pajis nga At Shtjefën Gjeçovi gjate viteve 1910-1925. Kanuni i Lekë Dukagjinit u përkthye fillimisht në gjuhën italiane, pastaj serbisht, frëngjisht, rusisht, anglisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër.
Gjithsej janë gjashtë kanune “Kanun’i vjetër”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i Çermenikës”, “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Labërisë” dhe “Kanuni i Skënderbeut” ose ndryshe “Kanuni i Arbërisë”.
Prejardhja
Termi Kanun është etimologjikisht i lidhur me fjalën greke “κανών” (“canon”), që do të thotë rregull dhe kaloi në gjuhen shqipe nga gjuha turke. Ndërsa përkatësia që luhatet nga vendi në vend “… i Lekë Dukagjinit” ose “Kanuni i Lekës”, “Kanuni i Malcís”… tregohet nga studiuesit se prejardhja mund të datojë që në kohë të Aleksandrit të Madh, ku me veçorinë shqipe në shkurtimin e emrave, e vendosin emrin “… e Lekës”. At Zef Valentini e çon këtë kod rregullator para periudhës mesjetare arbërore. Ajo që çon në mëdyshje të koherencës së kodit, është përhapja e madhe e Kanunit, edhe më tej kufijve të zotërimeve të dukagjinasve.
Praktika e ligjeve të kanunit mund të datoje që në kohën bronzit. Disa autore mendojnë se, kanuni vjen nga disa fise tribale ilire. Disa të tjerë kanë sugjeruar se kanuni ka elemente të disa epokave prehistorike indo-evropiane. Antropologjia Edit Durham thotë se, këto ligje vijnë që nga koha e bronzit. Disa të tjerë thonë se ka shumë ngjashmëri midis Kanunit dhe Manusmirtrit një traditë e hinduizmit. Kodi i Leke Dukagjinit është i përbërë nga 12 libra dhe rreth 1200 nene./njekomb