Loading...

Himarë, Kisha e Sergit dhe Bakut mirëpret vizitorë të veçantë

Kisha e Sergit dhe Bakut në Himarë u vizitua nga nxënësit e shkollës së mesme të cilët po shfaqin përherë e më shumë interes për monumentet e trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët Evropiane të Trashëgimisë” dhe “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, nxënësit vizituan qendrën historike në kalanë e Himarës, ku u njohën nga afër me vlerat monumentale të kësaj kalaje .

Gjithashtu ata në mënyrë të veçantë u njohën dhe me risitë në kishën e Sergit dhe Bakut tashmë e restauruar nga projekti i sapo përfunduar i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës me vullnetarë nga 15 shtete të ndryshëm nga gjithë bota.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut e shpallur monument kulture i kategorisë së parë është atraksioni turistik në bregdetin e Himarës, ku përveç bukurive të bregdetit jonian, turistët mund të prekin nga afër kulturën dhe trashëgiminë.

Kisha është ndërtuar brenda mureve rrethues të kështjellës së Himarës në kuotën më të lartë të saj, në zonën e Barbakasë. Ajo ka shërbyer si selia e peshkopit të Himarës, e cila bëhet qendër Peshkopale në vitin 1020, nën varësin e Patriarkanës së Ohrit siç dëshmohet nga një diplomë e lëshuar nga perandori i Bizantit Vasili II. Në këndin verilindor të kishës ndodhet një pllakë guri e murosur, ku shkruhej viti 786.

Kisha ka dy faza kryesore ndërtimi, por muret e kishës ruajnë gjurmë të rindërtimeve të shumta. Ndërtimi fillestar i përket naosit me pjesët e poshtme të mureve, sepse pjesët e sipërme janë ndërtuar disa herë. Një mjedis ndihmës në anën perëndimore është ndërtuar më vonë. Ndërtimi fillestar ndahet në mjedisin e altarit dhe mjedisin e naosit me një ikonostas muri. Kornizat e ikonostasit janë zbukuruar me motive floreale./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com