Loading...

Ndërkombëtarët njëzëri: Duan SPAK dhe BKH për çrrënjosjen e pushtetarëve të inkriminuar shqiptarë

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kanë asnjë prej vendeve partnere që të mbështesin kauzën e vetingut në politikë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka kërkuar që të skanohen gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë, por duket se të gjithë po dalin kundër idesë së artikuluar prej tij.

Fillimisht, ka qenë SHBA që pak ditë më parë përmes zv/ndihmës sekretares së Shtetit, Elisabeth Millard u shpreh se zgjedh reformën në drejtësi si rrugën e vetme për të pastruar politikën nga krimi dhe korrupsioni.

Ndërkohë që dje krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rreshtuar edhe Gjermania dhe Britania.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz kërkoi që pastrimi i politikës të bëhet pas ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas saj, nisma e propozuar nga opozita për një veting të politikës nuk duhet të çojë në bllokimin e vetingut në drejtësi.

“Politikanët sikundër edhe çdo qytetar tjetër shqiptar të cilët mund të jenë autorë të veprave të ndryshme penale do të duheshin gjithsesi që të silleshin para drejtësisë dhe në një shtet ligjor për këtë ka procedura të mirëpërcaktuara juridike. Ndaj mendoj se ajo që duhet bërë si hap i parë është bërja funksionale e procesit të vetingut që do të sillte pastaj edhe një drejtësi funksionale. Do të duhej të ngrihej sikundër e kemi thënë SPAK dhe Byroja Kombëtare e hetimit, në mënyrë të tillë që të mund të garantohej në një hap të dytë edhe vetingu në politikë. Më lejoni të plotësojë gjithashtu se diskutimet për idenë e vetingut brenda politikes nuk do të duhet të çonin në ngadalësimin apo në bllokimin e vetingut në drejtësi”, deklaroi ajo.

Në të njëjtën linjë me ambasadoren gjermane, dje është rreshtuar edhe ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman.

“Miksimeve të vetingut që po ndodhin t’i shtosh edhe një veting të ri atë në politikë, këto momente ndoshta nuk është diçka që Shqipëria ka nevojë”, deklaroi ambasadori Norman.

Goditja e krimit ekonomik, pastrimit të parave, terrorizmit dhe kultivimit e trafikimit të kanabisit do të jenë objektiv i këtyre strukturave.  SPAK dhe BKH të identifikojnë rrjetet kriminale që fshihen pas këtyre veprave penale.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com