Gjermania do të jetë vendi pritës i kompeticionit më të madh Europian, Euro 2024. Gjermania dhe Turqia ishin dy vendet e vetme aplikuese për të zhvilluar këtë aktivitet dhe UEFA vendosi që t’i besonte Gjermanisë organizimin e turneut që zhvillohet në vitin 2024.
Konfirmimi ka ardhur nga numri 1 i organit më të lartë të futbollit Europian, Aleksandër Ceferin, i cili zbuloi vetëm pak minuta më parë emrin e shtetit pritës. Në votimin e kryer nga komiteti ekzekutiv i trupit drejtues të futbollit europian, Gjermania, e cila e ka pritur turneun në vitin e largët 1988, mori shumicën e votave, duke mposhtur kështu kandidaturën e Turqisë.
Në ceremoninë e mbajtur në Nyon të Zvicrës, Gjermania dhe Turqia ishin kandidatët e vetëm për të organizuar turneun e pas 6 viteve, ku do të marrin pjesë plot 24 ekipe. Për Turqinë ky është dështimi i katërt për të marrë të drejtat e organizimit të eventit, pasi më parë ka qënë kandidaturë e EURO 2008, 2012 dhe 2016.