Loading...

Flamingot rikthehen në shtëpi pas 21 vitesh shtegtim, spektakël në lagunë

Shpendi lozonjar i njohur edhe për baletin karakteristik ishte larguar nga kjo lagunë prej vitit të mbrapsht 1997, ku gjuetia e paligjshme bëri masakër mbi ta.

Pas 21 vitesh shtegtim flamingot rikthehen në shtëpinë e tyre. Shpendi lozonjar i njohur edhe për baletin karakteristik ishte larguar nga kjo lagunë prej vitit të mbrapsht 1997, ku gjuetia e paligjshme bëri masakër mbi ta. Sot ata rikthehen në Lagunën e Nartës, të cilësuar si “Shtëpia e Flamingove” dhe shfaqin për turistët baletin e tyre klasik. Report TV ka vëzhguar për disa orë aktivitetin e këtij shpendi në lagunë, prej orëve të para të mëngjesit e deri në perëndimin e diellit.

Prej vitit 1997 flamingot u arratisën në destinacione të tjera dhe shumë rrallë ishin parë në këtë lagunë. Por në vitin 2016, qeveria vendosi të ndalojë gjuetinë me anë të një moratoriumi, që duket se dha efekt. Prej asaj kohe vihej re se ky shpend po kthehej në shtëpi, por ditët e fundit kjo lagunë është populluar më shumë se kurrë.

Sipas specialistëve, flamingot nuk po shtegtojnë më nga Narta në periudhën e nxehtë por po qëndrojnë në lagunë gjatë gjithë vitit. Por, edhe prania e shumtë e turistëve dhe i vizitorëve është disi shqetësuese, pasi shkrepjet e aparatëve dhe dronët i bezdisin këta shpendë gjatë procesit të tyre të ushqimit apo dhe të shlodhjes. Ato tremben dhe ngrihen me vrull në ajër dhe herë pas herë dëmtojnë njëra-tjetrën por dhe duke i larguar nga vendi i zgjedhur.

Flamingot, klasifikohen tek shpendët me karakteristika të rralla. Në të shumtën e rasteve ata shihen të grupuar në hapësira të cekta uji dhe mblidhen si një grup baleti. Shumë teori janë ngritur për faktin se si ky shpend qëndron me një këmbë dhe për ngjyrat e tyre të ndryshme. Madje me një këmbë ata edhe flenë. Gjatësia e këmbëve të tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm dhe pasha trupore deri në 4 kg. Sipas specialistëve ngjyra e flamingove është në varësi të ushqimit që hanë si edhe karkalecave të cilat kanë përmbajtje të lartë karroteni, e cila i jep ngjyrën karotë në portokalli. Një tjetër teori është se të qëndruarit me një këmbë ka të bëjë me ndërtimin e trurit tek Flamingot, ndërsa të tjetër teori është se të qëndruarit me një këmbë ka të bëjë me gjuetinë dhe ruajtjen e energjisë. Por edhe pse ka shumë teori, ende nuk ka një tezë të saktë për këtë veprim të këtij shpendi.

Të gjithë flamingot kanë një veçori të përbashkët: një sqep që harkohet lehtë në mes dhe përkulet poshtë, duke krijuar një formë të këndshme për sytë. Kur nis të fluturojë, zogu rreh krahët me hijeshi dhe vrapon përmes ujit me këmbët e shkathëta, duke fituar vrullin që i nevojitet për t’u ngritur në qiell. Me qafën e gjatë, me kokën të drejtuar para dhe me këmbët që i tërheq si të ngrira nga pas, ai fluturon me elegancë nëpër qiell.

Veç flamingove në këtë lagunë rriten edhe disa shpendë të tjerë të rrallë në specien e tyre. Nga vëzhgimi i specialistëve pak kohë më parë, aty janë numëruar edhe rreth 17 pelikanë të cilët qëndronin të qetë në habitatin e tyre. Shpendë të tjera më pak në numër janë edhe Kryekuqa e mjeme, Sqepbiza, Dallëndyshja Bisht-Gërshërë, Dallëndyshja kërbishtbardhë  apo Vrapuesi gushëbardhë

Laguna e Nartës, një ndër më të mëdhatë në vendin tonë ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, me një sipërfaqe rreth 42 km 2. Thellësia e saj më pak se 1 . 5 metër, e bënë këtë lagunë të preferuar për flamingot. Ajo ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe  plazhe të vegjël pa bimësi të dendur. Veç ishullit të vogël ku ndodhet Manastiri i Shën Mërisë, kjo lagunë ka edhe një panoramë të mrekullueshme dhe për shkak të gjerësisë së saj të ofron edhe një perëndim unikal të diellit, I cili përshëndetet herë pas here edhe nga grupet e flamingove që banojnë tashmë aty.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com