Shqipëria ndodhet jashtë hartës së vendeve të cilat dallohen për kultivimin e kanabisit dhe ky fenomen sipas ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është në nivelin minimal.
Gjatë një interviste për një media televizive, Xhafaj theksoi se tregues për këtë fakt janë raportet e Guardia di Finanza.
“Sot Guardia di Finanza monitoron 2 herë më shumë se viti i kaluar për shkak të këtij skepticizmi dhe gati 1/3 e territorit të Shqipërisë, e ka kaluar me skanim ajror dhe sot ne kemi shifra minimale, të krahasuara me vitin e kaluar, që ishte dhe viti më i mirë. Sot Shqipëria mund të konsiderohet në mënyrë absolute si një vend që nuk hyn në hartën e kultivimit të narkotikëve. Të mos harrojmë që për gati 20 e ca vite është kultivuar kanabisi në Shqipëri në mënyrë sistematike dhe kanabisi për shumë vite ishte një mision që mbrohej nga shteti. Unë besoj se në këto 2 vite e kemi hequr Shqipërinë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit, ky është realiteti. Ka qene një premtim publik, që shumë njerëz nuk e kanë besuar. Dhe sot Shqiptarë dhe ndërkombëtarë janë të bindur se realiteti i sotëm është i pakrahasueshëm me disa vite mëpërpara dhe i pakrahasueshëm në vitet kur kanabisi ishte një mision në mbrojtjen e shtetit”, – theksoi Xhafaj. /atsh