Ermal Hoxha u arrestua në janar 2015 si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe pavarësisht se u dënua me mbi 6 vite burg, është liruar nga gjykata pas 3 vitesh. Vendimi për lirimin me kusht duket se ka ardhur nga raportet pozitive nga institucionet e drejtësisë dhe një kontratë pune me kompaninë e bashkëshortes së tij i hapën rrugën vendimit të lirimit me kusht të Ermal Hoxhës, pasi kishte kryer fizikisht vetëm gjysmën e dënimit.
Vendimi i lirimit, të cilin BIRN e disponon, është firmosur nga gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Piro Sota dhe mban datën 13 shtator 2018. Ermal Hoxha- nipi i diktatorit Enver Hoxha u arrestua më 14 janar 2015 si pjesë e organizatës kriminale që kishte ngritur një laborator të prodhimit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Ai u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa në Apel dënimi u reduktua me 1/3 në 6 vjet e 8 muaj burg.
Sipas vendimit të gjykatës, Hoxha kishte kryer fizikisht 3 vjet, 6 muaj dhe 5 ditë burg deri më 20 korrik 2018, kur dorëzoi një kërkesë për lirim me kusht në Gjykatën e Fierit. Pas përfitimit të 1.5 viteve nga periudha e paraburgimit dhe një uljeje 1 mujore dënimi për shkak të aktivizimit me punë në burg, atij i mbeteshin për të vuajtur edhe 1 vit e 6 muaj. Në kërkesën për lirimin me kusht, Hoxha pretendon se burgu e ka arritur qëllimin e riedukimit dhe se ai është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri. Ai ka paraqitur edhe një kontratë për t’u punësuar si ekonomist në kompaninë Hera Company, e cila zotërohet 100 për qind nga bashkëshortja e tij, këngëtarja Rezarta Shkurta.
Lirimi me kusht parashikohet në nenin 64 të Kodit Penal, në rrethanat kur i dënuari ka “arsye të veçanta” dhe ka kryer ¾ e dënimit në rastet e vendimeve mbi 5 vjet. E përfaqësuar nga prokurori Asllan Barjamaj, prokuroria e Fierit e kundërshtoi kërkesën e Ermal Hoxhës me argumentin se ai nuk kishte “arsye të veçanta” dhe se vepra e kryer prej tij përfshihej në format e sofistikuara të krimit në Republikën e Shqipërisë. “Nuk ka asnjë provë ose të dhënë që i dënuari paraqet arsye të veçantë që mundet të ligjërojë lirimin e tij para kohe dhe vënien e tij në provë…,” thuhet në kundërshtimin e prokurorit Asllan Barjamaj.
“I dënuari nuk paraqiti në gjykim asnjë deklaratë ku të tregojë pendim për veprimet e kryera dhe të kërkojë falje, nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment me organet e drejtësisë dhe as nuk ka kryer ndonjë veprim tjetër që të krijojë bindjen se me punën dhe qëndrimin e tij është arritur rehabilitimi…,” shtoi prokurori i Fierit. Gjyqtari Pirro Sota i rrëzoi kundërshtimet e Prokurorisë si të pabazuara. Ai e argumentoi vendimin e tij te raportet pozitive të drejtorisë së burgut të Fierit dhe Shërbimit të Provës, të cilat vlerësuan sjelljen e Hoxhës në burg si dhe mundësitë e tij për rehabilitim jashtë tij.
Gjyqtari përmend edhe kontratën e punësimit si një argument për riintegrimin e tij në shoqëri. “I dënuari do të punësohet me detyrën e ekonomistit pranë shoqërisë “Hera Company, gjë e cila e ndihmon në rehabilitim e shpejtë,” argumenton gjykata. Gjyqtari shtoi gjithashtu se i dënuari e ka plotësuar kushtin e vuajtjes së ¾ të dënimit dhe se “me punën dhe sjelljen e tij gjatë periudhës së burgimit ka treguar se ia ka arritur qëllimit të edukimit të tij”.
Si “arsye të veçantë”, Gjykata e Fierit ka marrë parasysh gjendjen familjare të Ermal Hoxhës, i cili sipas vendimit është baba i dy fëmijëve të mitur. “Ligjvënësi duke përdorur shprehjen arsye të veçanta ka bërë një vlerësim të përgjithshëm, pa i nominuar ato e duke e lënë në vlerësim të gjykatës sipas rrethanave konkrete që i paraqiten,” thuhet në vendimin e gjyqtarit Sota. “Arsyet e veçanta nuk janë gjë tjetër veçse rrethanat konkrete, të cilat provojnë se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri,” shtohet aty.
I pyetur nga BIRN, avokati i Ermal Hoxhës tha se liria me kusht është një e drejtë e klientit të tij, e garantuar jo vetëm nga ligji por edhe nga precedentët e mëparshëm. “Ne kemi konsideruar se plotësohen kërkesat e nenit 64 të Kodit Penal. Gjithashtu kemi ndjekur praktikën e gjerë të Gjykatave Shqiptare lidhur me çështje të tilla, prej nga rezulton që rasti ynë përputhet më së miri me subjekte te mëparshme të ngjashme, por jo për nga publiciteti,” tha avokati Ermir Beta.
Ndërsa prokurori që ndoqi çështjen në Gjykatën e Fierit, Asllan Barjamaj tha se do ta apelojë vendimin. “Pres që gjykata të zbardhë vendimin për të bërë apelimin, por ne kundërshtuam kërkesën e bërë nga Hoxha pasi nuk mendojmë se ai ka përmbushur kushtet e nenit 64 që kërkon dispozita e lirimit me kusht,” tha prokurori për BIRN.
“Nga sa u tha në gjykatë, unë nuk besoj se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë pendesën për veprën penale për të cilën është dënuar apo ka dhe garanci që të vërtetojnë mospërsëritjen e veprës penale, por gjithsesi do të shohim vendimin e arsyetuar të gjykatës se ku është mbështetur për të dhënë vendimin e lirimit për rastin Hoxha,” shtoi prokurori Barjamaj.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Ermal Hoxha u akuzua si një prej personave kyç në dosjen e njohur si “Xibraka”. Sipas dosjes hetimore, roli në tij në grupin kriminal ishte transportimi i dy ekspertëve kolumbianë të kokainës drejt laboratorit në Xibrakë të Elbasanit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Pas lirimit të Ermal Hoxhës, për këtë çështje mbeten në qeli dy shtetasit kolumbianë dhe Saimir Batku e Ilir Hyseni./korrieri