Loading...

“Mjaft i kemi larë muret me gjak”, publikohet letra e të burgosurve të Fierit, akuzojnë drejtorin nga Tepelena

Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur shumë letra nga persona që vuajnë dënimin në burgun e Fierit apo familjarë të tyre. Ata ankohen për sjellje të padenja nga ana e drejtorit Arjan Hasani, i cili i dhunon dhe nuk u lejon të burgosurve të drejtat më minimale.

Në një nga letrat shkruhet…
“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Po ju shkruajmë nga burgu i Fierit. Saimir dhe Genti, për shoqërinë jashtë ne jemi llumi i shoqërisë, por edhe pse jemi në burg, kemi dhe ne të drejtat tona. Dhe në burg nuk ka vetëm përdhunues dhe pedofila, por ka dhe (persona) pa patentë, ndërtim pa leje, mospagim dritash dhe uji.

Problemi jonë është sesa herë ky burg drejtohet nga Arjan Hasani këtu mbizotëron dhuna dhe asgjë nuk funksionon. Ky në punë fut kushërinjtë e vet dhe të zonës së vet dhe këtu nuk funksionon më asgjë, përveç se dhuna, druri, izolimi, hakmarrja dhe arroganca.

Ne nuk kërkojmë privilegje në burg, se ky është burg i sigurisë së ulët, ku ka krime të lehta. Ne kërkojmë që të mos ketë dhunë dhe që drejtori të mos bëjë me ne si të dojë ai dhe kundra ligjit, se para ligjit jemi të gjithë njësoj.

Na vjen në 2 të natës kontroll, ushtrojnë dhunë fizike e psiqike, na tallin, na shajnë. Dhe kështu ne i hymë në grevë. E di si na tha me atë arrogancën prej tepelenasi? ‘Shkoni ankohuni te Stopi’. Ne ndodhemi në katin e parë, godina e paraburgimit. Pse u ngritëm në grevë, vetëm neve na ka mbyllur dyert. Në asnjë godinë nuk është kështu, vetëm te ne, pse u ankuam kundra këtij.

Ju lutemi na ndihmoni që të trajtohemi si të gjithë të dënuarit e burgut e të burgjeve të tjera. Mjaft i kemi larë muret me gjak! Ju lutem na sillni përfaqësues të Avokatit të Popullit që ta shikojnë gjendjen këtu”.

Ndërsa në një tjetër thuhet…

“Urojmë që letra t’ju gjejë mirë. Ne që po ju shkruajmë jemi të dënuarit e burgut të Fierit, godina e paraburgimit, kati i parë. Jemi në grevë qysh nga e premtja. Problemet tona ia shkruajtëm dhe ia thamë në sy pronarit të burgut, Arjan Hasanit. Themi pronari, se nga dita që është rikthyer në punë e ka kthyer burgun në privat.

Sapo iu ankuam në sy dhe i dhamë dhe letrën me firma, grisi letrën dhe na ka mbyllur dyert që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Ka bllokuar telefonatat që të mos ankohemi te gazetarët, Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit.

Pika jonë e parë e grevës është të hiqet dhuna fizike dhe psiqike që ka instaluar Arjan Hasani me kushërinjtë e vetë, që i ka punësuar në grupin e gatshëm!

Të na lejohen ilaçet që na sjell familja se këto të burgut nuk i kemi parë asnjëherë. Mos harrojmë se në këtë burg kanë vdekur 3 të dënuar, për sa kohë e ka drejtuar drejtori Arjan Hasani.

Duam që të funksionojnë dushet e uji i nxehtë që të lahemi. Duam që shitësi nga Tepelena, njeriu i drejtorit, të ulë çmimet. Një kos 1 mijë e 500 lekë të vjetra.

Duam që të mos na terrorizojnë me kontrolle që na bëjnë në 1, 2 ose 3 të natës. Sa i ankohemi ky njeri hakmerret. Duam që burgu të kthehet si ka qenë me drejtorët e mëparshëm, institucion edukimi dhe jo institucion xhunglimi dhe druri.

Shpresojmë të na mirëkuptoni se nuk duam luks, as pishina në burg, por duam që të mos të na rrahin më tek izolimet se aty nuk ka kamera. Ju lutemi na çoni përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit ta shikojnë gjendjen vetë”.

Po ashtu për këtë burg është ankuar edhe e ëma e një të burgosuri nëpërmjet një letre, ku shkruhet…

“Përshëndetje Saimir dhe Genti. Jam një shqiptare e jo serbe. Kam djalin në burgun e Fierit për aksident me makinë dhe jo për terrorizëm dhe krime lufte. Kur shkova para 2 ditësh te djali e pashë me shenja në fytyrë e të trembur. Plaçkat që nxori jashtë që t’ja laj ishin me gjak. Më tregoi djali që janë në grevë kundra dhunës që ushtron drejtori Arjan Hasani.

Saimir të keqen nëna, sa është rikthyer ky drejtor kemi frikë të shkojmë në takim se na dalin fëmijët të trembur dhe gjithë shenja.

Policët janë ndërruar të gjithë dhe këta të rinjtë nuk sillen mirë dhe me ne familjarët. Ju lutemi Saimir na ndihmoni, të keqen nëna. Me respekte, anonim se na rreh çunin prapë”.

Një ish-efektiv policie pohoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga drejtori Arjan Hasani ndaj të dënuarve dhe tregoi se është i papunë vetëm pse e kundërshtoi këtë fakt.

“Tani jam i papunë sepse me rikthimin e drejtorit Arjan Hasani nuk pranova të dhunoj të dënuarit. Ai më hoqi nga puna dhe ka futur në punë kushërinjtë e vetë dhe tepelensa. Ky drejtor e ka kthyer burgun në privat. Sa erdhi filloi të hakmerret kundër të gjithë personelit duke i hequr nga puna dhe duke vendosur njerëzit e tij. E ka kthyer burgun e Fierit në ferr të vërtetë. Na thoshte: ‘Mos komunikoni me të dënuarit se janë armiqtë tanë’. Po puna ime e tillë është se i dënuari te polici shkon për çdo gjë.

Ju lutem, ju bëj thirrje që në burgun e Fierit të hyjë për kontroll Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve që quhet SHKBB dhe varet nga Ministria e Drejtësisë e do shikojnë shkeljet që ka bërë e po bën drejtori Hasani. Ky të heq nga puna sikur ta ketë pronë të babës”.

Moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra i bëri thirrje Avokatit të Popullit dhe SHÇBA-së së Ministrisë së Brendshme për të kryer një kontroll në burgun e Fierit, pasi drejtori Arjan Hasani nuk mund t’i trajtojë të dënuarit në këtë mënyrë./ TVKlan.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com