Matteo Salvini njihet për qëndrimin e tij kundër emigrantëve që vijnë ileegalisht në Europë. Mirëpo me deklaratën e tij të fundit zëvendëskryeministri italian duket se ka shkuar shumë larg, duke i krahasuar emigrantët afrikanë me skllevër.
Ai e bëri këtë deklaratë në një mbledhje me dyer të mbyllura të një konference për emigracionin dhe sigurinë, mbajtur në Austri, ku merrnin pjesë edhe zyrtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Salvini tha:
“Kam dëgjuar dikë të thotë se kemi nevojë për migrantë, sepse popullsia po plaket. Unë i shoh gjërat ndryshe. Unë paguhem nga qytetarët që të ndihmoj të rinjtë tanë të fillojnë të kenë prapë fëmijë ashtu siç kanë pasur disa vite më parë dhe jo të çrrënjosim më të mirën e rinisë afrikane për të zëvendësuar evropianët që nuk kanë fëmijë. Ndoshta kjo mund të jetë e nevojshme në Luksemburg, por jo në Itali. Ne duhet të ndihmojmë fëmijët tanë të kenë fëmijë, jo të kemi skllevër të rinj për të zëvendësuar fëmijët që nuk i kemi.”
Deklarata e tij nuk është mbështetur nga homologët e tij. Ka qenë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili ka reaguar menjëherë, madje me irritim, duke thënë se Salvini ka shkuar shumë larg.