“Për disa ekzekutime të bujshme ka të dhëna se autorët janë nga fshati Nikël i Fushë-Krujës”. Gazetari Artan Hoxha shprehet se persona nga grupi i Niklës mund të jenë vrasësit e bankierit Artan Santo.
“Mua më bëhet qejfi që RENEA kishte logon. Kushdo ka parë sot se çfarë janë në gjendje të bëjnë ato bluza të zeza nëse dalin. Mbështes mendimin që dha Erzeni. Ka rënë numri i vrasjeve, por në disa zona, ka patur vrasje që janë pa autorë. Vrasje tipike mafioze. Që policia e ka të vështirë t’i përballojë. Nuk janë kapur autorët, se ata janë vrarë. Kërkojmë vrasësit e vrasësve. Duhet që policia të presë zinxhirin. Është pozitiv fakti që RENEA po lëviz. Kur dalin përcjellin vullnet politik. Askush se kundërshtoi sot operacionin. Një nga ngjarjet ku autori është nga Nikla është vrasja e bankierit Artan Santo, kryekomunarit në Kukës, gjyqtarit Skerdilajd Konomi. E kanë provuar ata forcën e RENEA-s në Nikël. Shumë kanë respekt për zotërinë, por është për vlerësim policia e Shtetit” , deklaroi Artan Hoxha.
Në 26 qershor u mbushen plot 4 vjet nga vrasja e bankierit Artan Santo. Ende ka shumë dyshime, por asnjë autor. Një dosje që vërtitet sa në polici dhe ne prokurori, por që pas kafazit te hekurt nuk gjendet askush, që do t’i hidhte sado pak drite mbi atë që cilësohet një ndër vrasjet më të rënda në këto dekada tranzicioni.
Ndjekja e motorrit të dy vrasësve të Artan Santos, mëngjesin e 26 qershorit të vitit 2014 i çoi forcat e policisë deri në Fushë- Krujë. Pak para hyrjes së qytetit, në një rrugë që degëzon me segmentin e drejtë që vjen nga Rinasi, mjeti me ngjyrë të zezë, bashkë me vrasësit veshur me të zeza, u zhduk.
Policia krijoi bindjen jo vetëm se ata u fshehën në këtë zonë, por edhe se ishin banorë të saj pasi e njihnin mirë terrenin. Në orët e zhurmshme që krijoi atentati i bankierit të njohur, u arrestuan dy banorë të Fushë- Krujës, Klodian e Saimir Gjozi, të cilët u liruan pak javë më pas për mungesë provash. Por hetimet e policisë dhe prokurorisë mbetën të përqëndruara në këtë zonë./korrieri