Vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari, është dakord me kërkesën e Izet Haxhiajt, për hapjen e dosjes së vrasjes së babait të saj.
Në një prononcim për “Panorama”, deputetja demokrate thotë se kërkon drejtësi për të atin.
“Çdo njeri i përfshirë kërkon të hapë çështjen e tij dhe të shikojë interesat e tij/saj.
Familja Hajdari është me drejtësinë. Një pafundësi me çështje le të hapen, ajo është dhe do mbetet gjithmonë “Vrasja e Shekullit” si nga misteri, por dhe përmasa e rëndësisë.
Të mos harrojmë që ishte një nga vrasjet më me ndikim në epokën postkomuniste, që ndali demokratizimin e vendit nga ambiciet primitive të atyre, që nuk e shikonin të ardhmen e Shqipërisë në strukturat EuroAtlantike dhe që kishin prirjen perëndimore të hershme të Shqipërisë, të shkatërruar nga komunizmi.
Në radhë të parë ata ishin armiqtë e demokracisë dhe të zhvillimit, shëmbëlltyra të krimit dhe të barbarisë”, shprehet Rudina.
E pyetur për dekorimin e Gafur Mazrekut, që e qëlloi me pistoletë në ambientet e Kuvendit të atin, Rudina Hajdari përgjigjet:
“Dekorimin e të gjithë atyre që janë dënuar për vepra penale, e kam parë gjithmonë si një regres politik dhe si një përpjekje mjerane e të gjithë atyre që nuk kuptojnë dhe vlerësojnë kontributin historik të individëve për demokracinë.
Në rastin konkret dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar. Përgjigjen dhe reagimin e forcës intelektuale e shoqërore e mori vesh kushdo. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë i shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin, se ky njeri ishte i pari që bëri një akt kriminal në Parlament.
Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Megjithatë, dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar, jo vetëm kundrejt familjes Hajdari, po kundrejt demokracisë e popullit shqiptar.”