Loading...

O shokë vdeksha nga kënga, Në një ditë prilli a maji, Kur derdhet mbi maja hëna, Në këngë të kthehet vaji. Vdeksha edhe prapë u ngrefsha, Shokët në këngë i gjetsha!

O shokë vdeksha nga kënga

(Poemë)

I

O shokë vdeksha nga kënga,
Në një ditë prilli a maji,
Kur derdhet mbi maja hëna,
Në këngë të kthehet vaji.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Aty në brigjet, thëllëza,
Ligjëroftë mëngjes a darkë,
I thëntë këngët të tëra,
I thëntë me bilbilat bashkë.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Zogjtë e bukur krahëlehtë,
Ia thënçin me gjuhë të ëmbël,
Shokët e mi, Bilbilenjtë,
Mos paçin plagë në zemër.

Midis lisave të gjatë,
Kurorë ngritur në qiell,
Në çdo festë e në çdo dasmë,
Rëntë e më zgjoftë një fyell.
Kur të fryjë erë e beharit,
Nga deti, a nga Kalbaqi,
Do t’i them “hapu pak varrit!”
Se do shkoj të rri tek Rrapi.*
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

II

Mbrëma, mbrëma kur del hëna,
Kur çdo gjë bie për gjumë,
Lehtë e pa u dëgjuar këmba,
Do t’i puth të gjithë në buzë.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Kur dielli do hapë dritë,
Përkarshi Vanovës sime,
Edhe unë do të jem ngritë,
Të pi ujë në Toçile*,
Aty, të më lahet shpirti,
Dhe të marr penën të shkruaj,
Më ardhtë mbi supe bilbili,
Nga gjumi i rëndë të më zgjuaj.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Pas zgjimit të ndez cingarë,
Duke parë malet përpjetë,
Pak nga pak të shuaj mallë,
Zjarri im ndezur do të jetë.
Të dëgjoj vajzat e këngës,
Për ato këngë nga varri dalsha!
T’u shpie gjethe të tëndës,
Zërin t’u ruaj nga vapa.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

III

Pastaj avazet e Bejkës,
Do t’i rrëmbejë brenda dheu,
Çobani nga koha e drekës,
Do më thotë:” O Lefter ngrehu!”
Kënga e Ninës me zjarre,
Kur të ngrihet kulme-kulme,
Dhe i tretur të jem fare,
Do bëhem bilbil në Lugje*,
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Ermioni kur t’i derdhë,
Elegjitë në grykë të saja,
Do marr të pi një gotë verë,
Që të më largohet sevdaja.
Dhe pastaj kodër më kodër,
Do kaloj ditët e gjata,
Aty, çdo nënë dhe motër,
Do t’i marr me mall nga qafa.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Pa përtuar në çdo derë,
Do të shkoj e do tund djepe.
Fëmijët që kanë bërë,
T’i bëj poet e poete.
Dhe me ëmbëlsinë e gjuhës,
T’u them këngë arbërore.
T’u mbijnë përsipër buzës,
Si pendë në krahë shqiponje.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

III

Të gjitha këngët e mia,
Qofshin ilaç për të gjallët,
Se m’i deshi Shqipëria,
Kombi im, gjithë shqipëtarët.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
Shokët në këngë i gjetsha!

Me * Janë emra vendesh dhe emrat e këngëtareve të famshme të Grupit Polifonik të Pilurit.

(Botuar së pari në vitin 1983 ne nje cikel te plote tek gazeta “Drita”. Më vonë në librat “Dheun tim përsipër mbaj” 1992, “Kënga që tret lotin” 2002. Dhe “Princi i dashurisë” 2009 Lefter Çipa

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com